Rama, mesazh Kosovës: Plagët e së shkuarës nuk kurohen me helm

AKTUALITET


Kryeministri Rama e cilëson të pakuptimshme refuzimin për të tretën herë të Kosovës për të marrë pjesë në nismën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, të cilësuar si Mini-Shengen dhe që zhvillohet këtë herë në Tiranë. Sipas Ramës refuzimi nga ana e autoriteteve të Kosovës të kësaj nisme është i dëmshëm për vetë Kosovën, pasi kjo nismë synon vendosjen e urave të bashkëpunimit dhe shërimit të plagëve të së shkuarës. Rama tha se kjo nismë është gjithëpërfshirëse për të gjithë dhe synon integrimin sa më parë në BE.

“Kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd. Është e hapur, është gjithëpërfshirëse. Nuk i imponohet askujt. I kemi ftuar të gjithë në Tiranë, sikurse dhe në dy takimet e mëparshme. Më lejoni ta them hapur se për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën. Ne jemi këtu për të ndërtuar urën midis të shkuarës dhe të ardhmes. Midis të shkuarës që na ndan dhe një të ardhme që na bashkon. Bindja ime e thellë është se  gjithë ky proces është  në koherencë të plotë me ambicien e shprehur nga të gjitha vendet për t’u bërë pjesë në familjen europiane duke bashkuar forcat për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe për të krijuar në hapsirën tonë standardet që i përgjigjen BE-së. Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, ky është synimi.

Plagët e së shkuarës nuk kurohen me helm dhe me acid por me ilaçe. Ilaçet nuk do t’i shpikim ne, mjafton si kanë funksionuar realitete të ngjashme dhe se si dialogu diskutimi i hapur, dakordësia për të mos rënë dakord me gjithçka, por për të punuar së bashku, i ka çuar popujt dhe vendet përpara dhe i kanë krijuar kushte më të mira, se e shkuara. Nisma nuk ndalet, por do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshjet”, tha Rama.

Edhe presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviç tha se nisma është gjithëpërfshirëse dhe dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit.

“Duhet të nxisim dialogun e çdo teme. Përfshijmë të gjithë që e gjejnë me interes këtë dialog. Është shumë e rëndësishme që aktivitetet të jenë në harmoni me të tjerat. Do të sjellë përmirësim.  Kemi folur për lirit e ndryshme të kësaj iniciative, tani është koha ta zbatojmë. Ne besojmë se kjo do të sjellë zhvillim për ne. Çdo iniciativë duhet ta shohim si një mundësi për të bërë progres. Ne duam të hymë në BE por duam që t’i bëjmë shoqëritë me Evropiane. Popujt tanë i takojnë Europës dhe duhet të kenë të njëjtat standarde jetese”, tha Gjukanoviç.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se kjo nismë do të zhvillojë rajonin dhe do të jetë një ndihmë e madhe për të afruar Ballkanin me Evropën.   

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin mesazhe pozitive nga BE në pranverën e ardhshme. Ne jemi të fokusuar në rrugën tonë drejt BE. Ne do të jemi të gëzuar që këto takime t’i zhvillojmë në të ardhmen edhe në Sarajevë e Prishtinë”, tha Zaev.



Skip to toolbar