Kryeministri Rama ka komentuar letrën e presidentit Meta duke thënë se ai u kujtua t’ia niste letrën pikërisht pasi u dogj KZAZ në Bushat.
Sipas Ramës ajo letër ishte “dashuri me kod” që i kujtonte Ramiz Alinë, por situata aktuale nuk ka lidhje me kohën e Ramizit, atëherë kur e gjithë Shqipëria u ngrit në këmbë për të rrëzuar sistemin. Tani, thotë Rama, s’ka popull, janë vetëm militantët e PD-së, si puna e Zef Hilës, nënkryetarit të Bashkisë së Dajçit që i vuri zjarrin KZAZ-së gjatë të enjtes në mbrëmje.
“Baba Xhikja më kishte shkruar një letër dashurie që çuditërisht baba Xhikja e çoi pasi u dogj KZAZ në Vaun e Dejës. Dashuri me kod. Dhe kujtonte Ramiz Alinë. Ramiz Alia i shtyu zgjedhjet se ishte e gjithë Shqiptaria e ngritur për të ndryshuar sistemin. Po ku është populli këtu? Janë vëtëm ca militantë si puna e atij Zef Hilës që vetë pi raki gjithë ditën dhe çon të tjerët t’i vënë zjarrin shkollës në Bushat. Ja këta karnavale janë dhe meritojnë përbuzjen e gjithë Shqipërisë të gjithë ata që nga Lulëzimi deri tek fallxhorja që thonë se KZAZ e sulmoi Edi Rama me Sandër Lleshin”, tha Rama.
Ai bëri thirrje që në “30 qershor ta dënojmë këtë politikë maskaradë që janë kthyer si çetat enveristëve në ‘90”.
Kryeministri gjithashtu tha se në tetor Shqipëria do të hapë negociatat me BE-në dhe bisedimet do të nisin nga kapitujt për Drejtësinë, frika e së cilës ka nxitur këtë krizë politike dhe dhunën në Shqipëri.
“Shqipëria do hapë negociatat me BE dhe bisedimet do fillojnë me drejtësinë. Drejtësia është e barabartë për të gjithë, drejtësia nuk pyet a je president, a s’je president. Presidentët në Francë kanë qenë dhe janë nën hetim dhe i nënshtrohen drejtësisë njëlloj si të gjithë qytetarët e tjerë.
Ky është ai tërmeti që e kemi paralajmëruar qysh ditën e parë kur PS nisi këtë reformë dhe të gjithë ishin kundër, që nga Saliu, baba Xhikja, Xhuljeta e të gjithë me radhë, të cilët u detyruan të miratonin. Pasi partnerët i detyruan, ia futën këmbët në një këpucë.
Të jeni të sigurtë se drejtësia mund të vonojë por nuk harron. Do t’i shikoni hap pas hapi s’do t’i shpëtojnë drejtësisë, jo të djegin KZAZ-të, apo të flasin me dy standarde. Jo s’do njohim 30 qershorin, jo s’duam konflikt. Këto fjalime me kode me stil mafioz. Ata e kanë marrë rrugën e tyre. Ata do bien në gropën që i kanë hapur Shqipërisë”, tha Rama te premten, gjatë fjalës në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të PS-së në Himarë.
Një ditë më herët, Presidenti Meta, i nisi një letër përmes të cilës i bënte thirrje për reflektim për të mos zhvilluar zgjedhjet më 30 qershor, por më 13 tetor që është data e fundit e dekretuar prej tij, në mënyrë që palët të arrijnë në konsensus. Ajo u duk si letër emocionale me shume se kercenuese. Po kryeministri me siguri, di diçka më shumë…