Rama: Mund të thotë që e solli Amerika me aeroplan apo BE me vapor, por reformën në drejtësi e udhëhoqi PS

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se reforma në drejtësi ka qenë një betejë e kahershme dhe një ndër prioritetet e tij që në opozitë.

Rama shtoi se procesi i vettingut ka pastruar një pjesë të madhe të llumit nga sistemi i drejtësisë, por puna mbetet ende për të bërë.

Kryeministri theksoi se pushteti ka hequr dorë nga ndikimi në drejtësi, teksa shtoi se shumë mund të thonë që reformën në drejtësi e solli Amerika me aeroplan apo BE me vapor nga Brindisi, por sipas tij e udhëhoqi PS.

“Ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo çfarë kam thënë, kur unë kam thënë nuk janë njerëzit që korruptojnë, pro sistemi që korrupton njerëzit, nuk kam thënë një fjalë që e kam shpikur unë, është ditur publike. E kam mësuar dhe e besoj 100%. E dyta sepse e kam besuar atë që kam thënë, kam udhëhequr përpjekjen për reformën në drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë. Kur ju thoni sa shumë njerëz e para njëherë nuk e di se me çfarë  matni këtë, sepse shumë apo pak është relative dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë ose pak. PS ka 800 mijë mbështetës, do ketë edhe më shumë në pranverë.

Gjatë këtyre mandateve duhet të ketë pasur mbi 15 ministra, mbi 500-600 drejtues vendorë, mbi 200 deputetë. Ca do të thotë tani që shumë, shumë çfarë? E dyta, patjetër ju dhe kush të dojë mund të thotë që reformën në drejtësi e solli Amerika me aeroplan, mund të thonë që e solli BE me vapor nga Brindisi. Për këdo që njeh, ose do të njohë historinë e reformës në drejtësi, mjafton të kthehet mbrapa në histori kur ne ishim në opozitë, shumë më parë se 2013, se janë në dokumente.

Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe, se tani jeni mësuar me opozitën pa shkrim e këndim, por opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe. Një dokument propozimesh që quhej pakti për shtetin e së drejtës. Më sulmonin se thoja do ta shemb këtë sistem drejtësi, si arkitekturë është shembur apo jo? A do ta pastrojmë llumin nga sistemi i drejtësisë, janë fjalime të miat para se të bëhej.

U pastrua një pjesë e madhe e llumit, apo jo me vettingun. Si ishte kjo, me kë po flisni, kujt po ia thoni këto. Mos vallë mendoni kur unë kam thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi që të shohësh drejtë, as majtas as djathtas dhe të godasë kë duhet goditur, mendoni se kam bërë retorikë për qejf? Kam menduar çdo gjë që kam thënë dhe çdo gjë që them e mendoj, në kuptimin që e besoj. Kemi hequr duart nga ai pushtet, është hera e parë në historinë e këtij vendi”, tha Rama.



Skip to toolbar