Kryeministri Edi Rama zgjodhi që këtë të premte të vizitonte mjekët dhe infermierët për t’i uruar ata për Krishtlindje. Pasi u dhuroi atyre një buqetë me lule, kreu i qeverisë premtoi se shumë shpejt, stafet e spitaleve Covid do të vaksinohen. “Çështje javësh besoj”, tha Rama.
“Unë jam shumë, shumë i kujdesshëm në fjalët, por jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshjeje me disa komponentë për vaksinën. Besoj se në fillim të vitit do të kemi edhe dozat e para dhe dozat e para sigurisht që janë për ju dhe do hidhet me short, do e bëjë përpara Najada apo ti Kalo (I drejtohet mjekut Tritan Kalo). Ju do vaksinoheni shumë shpejt, çështje javësh besoj. Pastaj do ta përshkallëzojmë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për sigurimin e vaksinës. Ai tha se janë në kontakte me disa prej kompanive që po e prodhojnë, por edhe me shtetet që tashmë e kanë siguruar vaksinën antiCovid. Kryeministri tha se jemi shumë pranë një marrëveshje me AstraZeneca.
“Është shumë situatë e vështirë për faktin që edhe shtetet e mëdha dozat që po marrin janë shumë më pak se ato që kishin parashikuar sepse baza prodhuese e SHBA-së, Presidenti i SHBA-së ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo doze. Pjesa tjetër prodhuese që është jashtë SHBA-së ka më pak doza. Për fillimin është problem. Kam folur me disa kryeministra dhe ata nuk po i thonë publikisht shifrat se janë shumë më pak se ç’kishin premtuar. Ne jemi në komunikim me disa nga shtetet, sepse tani marrëveshjet bëhen shtet me shtet dhe pavarësisht marrëveshjes me kompanitë, Pfizerin, jemi shumë afër edhe me AstraZeneca. Edhe me Modernën jemi në diskutim, por Moderna ka një sasi shumë të vogël jashtë SHBA-së”.
“Mesa duket kjo godina do e mbyllë në mënyrë të lavdishme se pas kësaj lufte do bëhet godina e re”, tha kryeministri Rama.
“Me miratimin e kredisë së BB tashmë Infektivi është përfshirë në planin tonë për tu rindërtuar me standartet më të mira e kështu vitin tjetër duke shpresuar që pandemia të mos ketë këtë kurbën e madhe e mos ketë këtë përballje me infeksionet e rritura e vaksina do lehtësoje por kjo s’do të thotë që s’do e kemi armikun e padukshëm prezent deri sa të kthehemi në normalitet që të gjithë presim”, tha Manastirliu.
Shefi i qeverisë bëri dhe batuta kur tha se do jenë dy profesoret e Infektivit, Najada Como dhe Tritan Kalo qe do i vene dinamitin godines.
“Mbyllja e luftës do jetë me ceremoni, profesoresha me profesorin me sustat në dorë për t’i vënë dinamitin kësaj e për të filluar ndërtimin që është një nga pjesëve të fundit të gjithë rindërtimit të QSUT“, tha Rama.