Kryeministri Edi Rama thumboi sërish Presidentin Ilir Meta, teksa tha nga Vlora se “nuk mund të përdorim fjalën “dëshmorë”, pasi mërzitet Likja. Rama tha nuk ka ndodhur kurrë në historinë e asnjë vendi të botës që të Presidenti t’iu japë dekorata heronjve që kanë vdekur akoma pa lindur ai.
Mes të tjerash, kryeministri tha se qytetarët s’kanë alternativë më të mirë se mazhoranca më 25 prill, duke shtuar se opozita është shalqi me provë, pasi sipas tij, kur ishin në pushtet treguan se ishin kunguj.
“Këtë fjalën ‘dëshmorët’ s’e përdorim dot, se na mërzitet Likja. Po kërkon vota, se po i falimenton ndërmarrja. Dhe bën atë që nuk e ka bërë askush në historinë e asnjë vendi të botës, jep dekorata për njerëz që kanë ndërruar jetë para se të lindte vetë. Të japësh dekoratë për heronjtë e luftës, ata janë heronj të luftës, çfarë i bën ti? Apo njerëz të LSI! Duke dhënë dekorata ti dallon dikë nga tjetri, po si mund të dallosh heronjtë nga njëri-tjetri. O jepu të gjithëve, o tërhiqu. Pse qenka Vojo Kushi, sipas Likes, dhe nuk qenka Ali Demi. Na futi të tërëve në këtë vorbull dhe në këtë vorbull nuk del me sukses në përpjekjen për ta shpjeguar, përvecse të përdorësh dhe humorin. Unë besoj që ne i kemi të gjitha arsyet për të kërkuar mandatin e tretë. Dhe këtë herë është shumë më problem të votosh PD-në, se ke dhe Monikën.
Edhe sikur për një moment disa dyshojnë, shanset që të bëhet një aeroport në Vlorë janë më shumë me ne apo me Leckon dhe Lulin? Më të mirë se ne nuk ka dhe nuk do të ketë edhe për shumë kohë. Ata që pretendojnë se janë më të mirë, janë shalqi me provë. Kunguj kanë dalë të tërë, kur kanë pasur në dorë atë që kërkojnë ta rimarrim prapë. Kështu që jam i bindur plotësisht se ata që janë në mëdyshje ose thonë që s’do të votojnë, do të kuptojnë që s’ka vend për mëdyshje dhe se rruga është e qartë”, deklaroi ai.