Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer ndaj opozitës, lidhur me akuzat e kësaj të fundit mbi menaxhimin e situatës së koronavirusit.
Rama i quajti kriminale akuzat e opozitës për vjedhje, gjatë kohës së pandemisë, dhe për faktin se nuk janë marrë masa për përballimin e situatës. Sipas kryeministrit, opozitarët janë të humbur dhe nuk gjejnë dot rrugë për të dalë nga qorrsokaku ku janë futur.
“Pse del Kancelarja e Gjermanisë dhe thotë ‘me keqardhje, por gjurmimi ka hasur vështirë për shkak të rritjes së infeksionit, dhe nuk e ndjekim dot më’?. Pse Presidenti i Francës thotë se iu ka dalë infeksioni jashtë kontrollit? Po vjedhin ata me PPP të gjithë? Kjo është një tallje poshtëruese për politikën, kjo është një lehaqenie, që kur vjen nga njerëz që janë aty për të dhënë alternativa serioze dhe për të folur me gjuhën e së vërtetës, përbën krim. Është kriminale të nxisësh panik me gënjeshtra, dëshpërim me sajesa e fabrikime.
Janë të humbur, të marrë fund dhe prandaj nuk gjejnë dot rrugë si të dalin nga qorrsokaku, ku kanë futur veten e tyre. Një cet karagjozësh, ku njëri thotë ma jepni mua se e ndaloj unë zinxhirin e infeksionit, tjetra thotë shkoni në kisha e xhami, dhe tjetri del e thotë se sa medalje do të shpërndahen sot për të vdekurit. Vetëm dje në Itali kanë vdekur aq sa kanë vdekur në Shqipëri nga dita e parë. Po ta marrësh me numër popullsie me Italinë, i bie që ne të kishin 30 të vdekur në ditë. Ç’është kjo gjuhë, kjo flamë, kjo marrëzi? Edhe e gjithë politika e tyre është një PPP, me një “0” të madhe, “R” që vazhdon, një “DH” dhe “Ë” në fund.
Problemi i informacionit është i madh, që lidhet me marrjen e këshillave të duhura nga njerëzit. Është shumë e rëndësishme që njerëzit t’i referohen fakteve e shifrave zyrtare. Është hata e madhe, sikur Covid ka rënë vetëm në Shqipëri, sikur vetëm këtu vdesin njerëz, apo hidhen nga dritarja. Aq shumë fiksohen në drejtimin e gabuar mendja e disave, sa edhe kur ua tregon spitalin nga brenda, e quajnë film.
Sot që flasim në strukturat Covid kemi 30% të kapaciteteve të lira akoma. Jeni të ftuar që nesër, bashkë me ministren e Shëndetësisë, të shkoni dhe të vizitoni spitalin Covid-4, se aty nuk ka akoma pacientë. Ç’do me thënë kjo ‘spitalet në kolaps’? Larg qoftë mund të jenë nesër, por nuk janë. Shikoni si Holanda nuk ka vend në spital dhe Gjermania i ka hapur kanal jeshil për të çuar pacientët. Ne kemi ende rezerva, se lavdi Zotit numrat në terapi intensive janë pak. Ç’do me thënë kjo që duhet marrë oksigjen në shtëpi? Si mund të merret oksigjeni pa një mjek, pa një kontroll”, u shpreh kryeministri.