Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, deklaroi se shumë shpejt paga mesatare e administratës shtetërore do të shkojë në 1000 euro.
“Siç u deklarua nga INSTAT, ne kemi shkuar përtej objektivit të vendosur që në qershorin e këtij viti pagat të arrinin në nivelin mesatar 900 euro. Jemi në 968 euro dhe tavani i pamendueshëm deri para disa vitesh i 1000 eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse të ekonomisë”, tha Rama.
“Një gjë është të duash të rrisësh pagat e pensionet dhe një gjë tjetër është të mundesh të rrisësh pagat e pensionet. Një gjë është t’i rrisësh duke vazhduar të rrisësh ekonominë dhe një gjë tjetër është t’i rrisësh duke çuar shtetin në drejtim të paditur, duke lënë pas gropa të mëdha që ne gjetëm kur morëm detyrën”, shtoi kreu i qeverisë.