Rama: Spahia në shtëpi, fukarenjtë në burg

Më të fundit


Kryeministri Rama i është përgjigjur Presidentit Meta nga Përmeti, ku po mban takime elektorale se pluralizëm nuk do të thotë të dalësh mbi ligjin, ndërsa ka thumbuar edhe vendimin e masës së sigurisë për Bardh Spahinë, duke thënë se “ai vajti në shtëpi, fukarenjtë në burg”.

Kryeministri Edi Rama është zhvendosur në qarkun e Gjirokastrës për të zhvilluar takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, për të cilat shprehet i vendosur që do të realizohen, pavarësisht dekretit të Presidentit, që i anuloi. Ashtu si në Sarandë dhe çdo qytet ku ka qenë, Rama është pritur me protesta nga militantët e PD-së dhe LSI-së në Përmet.

“Janë bërë si enversitët, njëlloj si ky shoku i Tërmetit, Tritani, më ekstremistë dhe qorra të asaj kohe, pasi të tjerët e kuptuan që bota ndryshoi. Pluralizmi është rënia e të gjithëve në një mendje që jetojmë në një shoqëri ku secili ka të drejtë të zgjidhet, por populli ka të drejtën që të zgjedhë. Pluralizmi nuk është imponim i pakicës mbi shumicën apo e kundërta duke dalë mbi ligjin” tha kryeministri Rama.

Duke vijuar me komentin për protestat e opozitës, Rama dha  një mesazh edhe për vendimin e Gjykatës së Shkodrës që la në arrest shtëpie ish deputetin e PD, Bardh Spahia. “Disa prej tyre nga këta fakir-fukarenjtë nga mendja mbetën në burg. Ndërsa ai që i çoi atje tha unë nuk kam lidhje, vajta t’i qetësoj dhe vajti në shtëpi. Në fakt ishte pikërisht ai që i çoi atje. A mund të bëhet burg për këta?”, tha Rama.

Megjithatë, sipas Ramës, koha kur socialistët mund të merreshin përpara si dele me armë molotov dhe armë të ndryshkura apo kërcënime, ka mbaruar, është tjetër kohë. “Por, socialistët që të bëjnë një milimetër mbrapa nuk bën vaki kurrë. Burgjet i kanë merak i duan, prandaj edhe burgun e kanë merak të madh. Prandaj populli nuk i ka muhabetet e kazanëve, kur ishin këta në pushtet, kriminelët liroheshin nga burgu me leje lindësh. Ky do të lindë, deri në datën e zgjedhjeve duhet të dalë. Nuk shkonin në maternitet, po u nxinin jetën njerëzve nëpër fshatra”, tha Rama në takimin elektoral në Përmet.



Skip to toolbar