Rama takim me ministrat në ‘Vilën 30’, në fokus analiza dhe koordinimi i punës

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me ministrat në Vilën 30, në kuadër të analizës së punës dhe raportimeve periodike të kabinetit qeveritar.

Ky takim është pjesë e mbledhjeve rutinë që kreu i maxhorancës zhvillon me anëtarët e qeverisë, me fokus vlerësimin e performancës dhe koordinimin e mëtejshëm të punës.

Gazetarja Denada Shkodrana raporton se takimi ka nisur rreth orës 9 të mëngjesit, ku ministri i Brendshëm, Besfort Llamari, ishte i pari që mbërriti në Vilë e më pas ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me përfaqësues të kabinetit të tij.

Sipas gazetares, dy ministrat e lartëpërmendur do të raportojnë sot në takimin me kryeministrin Edi Rama.

Takimi i ministrit Llamari lidhet edhe me zhvillimet në Ministrinë e Brendshme, ku pritet të zgjidhen dy drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit: drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Policisë së Tiranës. Në takim ka qenë gjithashtu edhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të Policisë.

Këto takime sistematike shërbejnë për koordinimin e punës së ministrave dhe për zgjidhjen e problematikave që hasin qytetarët, si dhe për raportimin mbi ecurinë e dikastereve. Ministrat janë gjithashtu të angazhuar në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjen e strukturave të saj, përveç detyrave kushtetuese si ministra”, tha gazetarja në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vila 30.

Qëndrimi i ministrave në Vilë parashikohet të zgjasë deri në orën 12, ndërsa javën e kaluar disa prej tyre zhvilluan takime të ngjashme për të bërë raportime të detajuara mbi ecurinë e punës së dikastereve.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, u zhvillua edhe mbledhja e Partia Socialiste e Shqipërisë, ku u morën vendime për ndryshimin e drejtuesve politikë në gjashtë qarqe të vendi.



Skip to toolbar