Në një seancë të paprecedentë që zgjati thuajse 8 orë, përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs e akuzoi kryeprokuroren e Tiranës për një seri të gjatë veprash penale, përfshirë përgjime të paligjshme dhe shantazhim të anëtarëve të KPK-së, akuza të cilat Imeraj i kundërshtoi ashpër.
Nga Vladimir Karaj
Seanca dëgjimore e së mërkurës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ishte në rutinë, derisa fjalën e mori vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs.
Pas një relatimi të vakët, seanca dukej drejt fundit, kur kryesuesi i trupës, Olsi Komici iu drejtua Jacobs nëse ai kishte pyetje.
“Ju nuk keni pyetje i nderuar kryetar? Unë kam disa,” tha Jacobs, duke parë nga paneli, anëtarët e të cilit sapo kishin deklaruar se nuk kishin pyetje shtesë.
Jacobs hodhi një vëzhgim zhbirues drej trupës gjykuese nga u bë e qartë se ai nuk ishte aspak i kënaqur me relatimin e sapopërfunduar dhe vijoi duke theksuar ndër të tjera, se do të prezantonte 5 gjetje nga hetimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
“Kisha shpresuar që do të ishin pjesë e raportimit, por meqë nuk i përmendët, do e bëj unë,” tha Jacobs.
Pas kësaj pasoi një përplasje e gjatë mbi 5 orë mes përfaqësuesit ndërkombëtar dhe subjektit të rivlerësimit mbi ndikimin e ‘paligjshëm’ të Imerajt në proces, pasurinë e saj, marrëdhënien me ish-bashkëshortin dhe një çështje për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Gjetja e ONM-së që mori pjesën kryesore të debatit kishte të bënte me atë që Jacobs la të kuptohej se e ishte një “përpjekje të organizuar” për të ndikuar në proces.
Ai tha se kolegu i tij, Hans Kijlstra – tashmë i larguar nga ONM, i kishte lënë në dorë disa vëzhgime bashkë me informacionin e sigururuar nga dy burime, një shqiptar dhe një i huaj, që Imeraj kishte vënë njerëz ta ndiqnin dhe ta fotografonin, përfshirë pretendimin se kishin foto kompromentuese ndaj tij.
Ai po ashtu veçoi dorëheqjen e ish-relatores Etleda Çiftja, e cila shprehej se kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i ishin afruar për t’i kërkuar “qëndrim më fleksibël” në çështjen ndaj Imerajt.
Jacobs nuk e përmendi emrin e komisioneres, por ai u bë i ditur publikisht nga Imeraj, që kundërshtoi ashpër gjetjet, duke iu referuar ironikisht atyre si të marra nga denoncimi i “Rrahim Shehut” -një emër i rremë i përdorur me gjasë nga një denoncues anonim, të cilin prokurorja e përmendi shpesh për të ironizuar gjetjet e Jacobs.
Prokurorja pretendoi se të gjitha institucionet, përfshirë Gardën e Republikës i kishin thënë zyrtarisht se nuk kishin informacion dhe as ndonjë ‘thashethem’ që Kijlstra ishte ndjekur apo fotografuar.
Po ashtu, ajo akuzoi komisioneren Etleda Çiftja se kishte braktisur detyrën dhe se me dorëheqjen e kishte vënë atë në pozitë të vështirë.
Elisabeta Imeraj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004, dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Shkodër punoi për 13 vite si prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në gusht 2018, ajo u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishte kandiduar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Procesi ndaj saj është ndër më të gjatët në KPK. Imeraj vetë u ankua se kishte mbi 2 vjet e gjysëm që u përgjigjej pyetjeve nga Komisioni.
Nga relatimi u kuptua që trupa ndaj saj kishte ndryshuar disa herë.
Përplasja me Jacobs për ndërhyrjet në proces
Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs ka pasur edhe më herët përplasje me subjekte të rivlerësimit, por përballja e tij me Elisabeta Imerajn nuk ishte një pyetje apo koment sardonik. Në përmbajtje u duk se Jacobs bëri një relatim paralel me atë të Komisionit, duke vënë në dukje sipas tij disa probleme të Imerajt, të cilat KPK i kishte paraqitur përciptazi apo nuk i përmendi fare.
Gjetjet e ONM-së, përfshirë raportin e vëzhguesit të larguar, Hans Kijlstra ndaj Imerajt u vunë në dukje nga relatori Roland Ilia, por ai nuk dha asnjë detaj mbi përmbajtjen e tyre. Përkundrazi, Jacobs bëri një prezantim të detajuar.
Ai tha se Imeraj kishte dërguar një letër “të pabazuar në ligj” për drejtuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në të cilën kishte kërkuar përjashtimin e Kijlstras nga procesi i saj. Jacobs vuri në dukje se letra e nënshkruar nga Imeraj ishte bazuar në një informacion që ajo kishte, se vëzhguesi ishte shprehur negativisht në lidhje me pasurinë e saj dhe se ajo pretendonte se ishte e paragjykuar.
Jacobs vuri më pas në dukje se pak kohë më vonë, kur Kijlstra po kthehej në Tiranë nga Amsterdami – ndërsa ishte në avion me familjen e tij, kishte marrë një e-mail nga Imeraj, i cili ndryshonte tërësisht në gjuhë nga kërkesa për përjashtim.
Ai tha se kolegu i tij ishte shokuar nga e-maili, i cili sipas tij linte të kuptohej se Imeraj ishte e informuar për lëvizjet e tij. Jacobs citoi ndër të tjera nga e-maili se Imeraj i kishte shkruar kolegut të tij se “nuk kishte miq në parti,” duke nënkuptuar se nuk kishte lidhje politike dhe as lidhje me krimin e organizuar.
“Kjo mund të habisë disa këtu,” tha Jacobs ironikisht dhe shtoi se në e-mail Imeraj shprehte besim te procesi dhe te qëndrimi i vëzhguesit. Emaili ishte shkruar disa ditë pas një kërkese që Imeraj kishte dërguar për përjashtimin e Kijlstras nga procesi.
Më tej ai prezantoi dyshimet e kolegut se ishte ndjekur gjatë kohës që kishte qenë në Tiranë. Jacobs i parapriu Imerajt, ndërsa bëri me dije se mbrojtja e saj se institucionet në vend kishin kthyer përgjigje se nuk u ishte kërkuar nga ajo të përgjonin Kijlstran, nuk pinte ujë.
“Askush nuk është aq idiot sa të pranojë që po bënte përgjim të paligjshëm të një vëzhguesi ndërkombëtar,” tha Jacobs.
Imeraj e mori fjalën pas këtyre gjetjeve dhe i kundërshtoi ato pjesërisht. Ajo deklaroi se e kishte bërë kërkesën për përjashtim dhe e-mailin për Kijlstran, por kundërshtoi që në to të kishte sjellje joetike.
Ajo tha se kërkesa për përjashtim ishte e drejtë e saj si subjekt për të pasur një proces të rregullt, ndërsa shtoi se e-maili ishte një shkëmbim formal. Imeraj theksoi se kishte bashkëpunuar me kolegë nga e gjithë bota dhe ndaj saj nuk kishte asnjë dyshim për sjellje joetike.
Ajo pretendoi se akuzat për ndjekje dhe përgjime ishin të pavërteta, të paverifikuara dhe se një mori institucionesh kishin mohuar të kishin dijeni. Ajo shtoi se ishte e habitur që ky qëndrim i Hans Kijlstras ishte bërë 7 muaj pasi ai ishte larguar nga Shqipëria dhe vuri në dukje se ai nuk ishte ankuar për këtë më herët.
“Nuk jam as fotografe, as paparace,” tha Imeraj, ndërsa theksoi se kjo nuk ishte në karakterin e saj dhe nuk e kishte kërkuar diçka të tillë. Imeraj po ashtu vuri në dyshim fjalët e ish-vëzhguesit, duke thënë se ai njëherë thoshte se nuk kishte të dashur dhe njëherë se ishte fotografuar me të dashurën.
Kjo solli reagim të ashpër të Jacobs, që i tha Imerajt se nuk ishte korrekte në citim. Imeraj këmbënguli se po citonte drejt, por vëzhguesi me ton të ngritur tha se nuk toleronte sjellje të tillë ndaj kolegut të tij.
Ai lexoi më pas citimin e Kijlstras në të cilin thuhej se ishte fotografuar në kafene me disa bashkëpunëtore shqiptare apo të njohura të tij femra, të cilat pretendohej të paraqiteshin si të dashura.
Imeraj këmbënguli në shpjegimin e saj se asnjë institucion nuk kishte dijeni për këtë dhe se ajo “nuk e kishte bërë kurrë” këtë veprim. Ajo kërkoi disa herë që Jacobs të hiqte dorë nga denoncimet e pabazuara në fakte dhe disa herë përmendi se si prokurore bazohej vetëm në prova.
Ngjashëm shkoi edhe përplasja mbi dorëheqjen e Etleda Çiftjes nga çështja. Jacobs citoi minuta të një seance të ndërmjetme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në të cilën ai e kishte pyetur Komisioneren për arsyet e dorëheqjes. Jacobs deklaroi se Çiftja kishte referuar kontakte nga persona të njohur – të afërt dhe të largët, që i kishin kërkuar ‘fleksibilitet’ në rastin e Imerajt.
Jacobs tha se këto kontakte ndodhin pas seancave të mbyllura të Komisionit dhe vuri në dukje se personat ishin të informuar për kohën e këtyre seancave dhe për qëndrimin e anëtarëve të KPK-së në këto takime. Ndërsa vuri në dukje se edhe pse nuk pajtohej, ai besonte që një rast i tillë mund të ndodhte nga një i afërm, por theksoi se në rastin konkret ishin 7-8 kontakte të pretenduara nga Komisionerja. Jacobs tha se kjo dukej se ishte “një përpjekje e organizuar” për të ndërhyrë në proces.
Sipas vëzhguesit, dy gjetjet lidheshin me njëra- tjetrën dhe se e ndihmonin “të lidhte pikat”, duke ngritur dyshime mbi sjelljen e Imerajt në raport me procesin.
Imeraj kundështoi gjetjen. Ajo akuzoi Çiftjen se me dorëheqjen e saj dhe këtë qëndrim të mbajtur në seancën e mbyllur e kishte vënë atë në një pozitë të vështirë.
“Unë kurrë nuk jam tërhequr nga asnjë çështje, pavarësisht kontakteve nga të afërm të mi,” tha Imeraj, ndërsa vuri në dukje se si prokurore kishte pasur përpjekje të tilla, por që nuk i kishte marrë parasysh.
Ajo shtoi se sjellja e Komisioneres ishte braktisje e detyrës dhe se ajo kishte bërë “shpërdorim detyre”. Imeraj shtoi se Çiftja kishte qenë relatore për një kohë të gjatë e çështjes dhe shprehu dyshime për mënyrën dhe arsyetimin e largimit të saj nga procesi.
“Nuk di çfarë emri t’i vë kësaj,” tha Imeraj.
Përplasja për pasurinë
E ndezur ishte edhe përplasja sa i përket pasurive të Imerajt. Jacobs vuri në dukje që në fillim se nuk i dukej e besueshme mbrojtja e prokurores. Ai tha se ajo në një krah pretendonte se nuk kishte lidhje me pasuritë e bashkëshortit – për shkak të një kontrate paramartesore dhe nga ana tjetër pretendonte t’i njiheshin përfitimet nga këto pasuri në analizë financiare.
Imeraj në fjalën e saj, në përgjigje të gjetjeve të KPK-së, u mbrojt duke thënë se pasuria për të cilën hetohej ndahej në tre pjesë: ajo paramartesore, pasuria vetjake dhe pasuria e ish-bashkëshortit pas martese. Ndërsa këmbënguli se nuk kishte arsye për t’u hetuar për pasurinë e ish-bashkëshortit para martese dhe se marrëdhëniet ekonomike pas martese kishin qenë të normuara me kontratë. Imeraj këmbënguli se pasuritë ishin të gjitha me burime të ligjshme.
Pyetjet e Jacobs – për të cilat ai kërkoi përgjigje ‘po ose jo’ mbi tre pasuri, për të cilat edhe KPK kishte gjetur probleme, mosdeklarime dhe deklarime kontradiktore, u përballën me kundërshtim të qartë të Imerajt.
Ajo tha se nuk do i nënshtrohej një procesi në të cilin i ‘diktohej’ si do të përgjigjej dhe e cilësoi cënim të së drejtës së saj për proces të rregullt. Disa herë palët iu drejtuan për ndërmjetësim kryesuesit Komici, i cili duket se u përpoq të qetësonte ujërat, duke i thënë Imerajt se kishte të drejtën të përgjigjej me “një, dy apo tre fjali”.
“Pyetjet janë koncize dhe për fakte të njohura,” tha Komici, ndërsa disa herë këmbënguli që palët të kontrollonin gjuhën që po përdornin, ndërsa Jacobs dhe Imeraj shkëmbenin ironi dhe batuta me njëri -tjetrin.
Jacobs vuri në dukje se ndërsa Imeraj pretendonte se nuk kishte të bënte me pasuritë e ish-bashkëshortit, kishte disa ura që e lidhnin atë me këto pasuri. Ai tha ndër të tjera se një kredi 2 milionë lekë e marrë para martese nga Imeraj për riparim shtëpie, ishte paguar në disa këste nga bashkëshorti dhe shtoi se ky i fundit kishte bërë edhe shlyerjen e parakohshme të kësaj kredie.
Jacobs përmendi disa skenarë, sipas së cilave, prokurorja kishte bërë një sërë shkeljesh dhe mosdeklarimesh. Ai i mëshoi faktit se ishte pretenduar që kredia nuk ishte përdorur dhe se po e njëjta kredi ishte përdorur për shlyerjen e saj. Ai shtoi se kjo nuk ishte e besueshme, sa kohë nuk ishte deklaruar si e ardhur e mbartur dhe se arsyet e marrjes së saj ndryshonin në disa deklarime.
Ai vuri në dukje se marrja e kredisë përkonte në kohë me blerjen nga ish-bashkëshorti të një pasurie tokë arë në Mullet. Imeraj u përgjigj në këtë pikë në mënyrë të përsëritur se kishte dhënë shpjegime të detajuara dhe se u qëndronte atyre. Ajo ironizoi Jacobs mbi përmendjen e skenarëve dhe tha se “nuk ishte artiste” dhe se nuk bënte skenarë.
Replikës së Jacobs se po e bënte seancën cirk, Imeraj iu përgjigj duke thënë se “kjo ishte jeta e saj dhe nuk ishte cirk”.
Ngjashëm të dy debatuan mbi një pasuri të blerë nga bashkëshorti në kryeqytet në vitin 2008. Pasuri për të cilën ishin kryer një mori transaksionesh, nga bashkëshorti, vëllai i tij dhe shitësi. Sipas Jacobs, kjo pasuri lidhej me Imerajn në nënshkrimin prej saj të një kontrate noteriale në të cilën përmendej marrëdhënia mes bashkëshortit dhe shitësit dhe çmimi 150 mijë euro. Çmimi i mëvonshëm i godinës ishte raportuar në deklarata 45 mijë euro, ndërsa gjysma e kredisë 90 mijë euro e marrë për këtë pasuri ishte përdorur për një borxh të kunatit.
Jacobs tha se kjo situatë komplekse dhe shpjegimet e Imerajt nuk ishin bindëse. Ai theksoi se transaksionet e mëvonshme dhe deklarimet e prokurores dukej se ishin bërë për të fshehur vlerën e vërtetë dhe për të shmangur tatimet. Jacobs tha se kontrata noteriale ishte bërë për të marrë kredinë 100 mijë euro. Ai theksi se për pjesë të kësaj kredie – që nuk deklarohej të ishin shpenzuar, mungonin deklarimet.
Imeraj tha se deklarata noteriale nuk mund të shërbente për marrje kredie, ndërsa theksoi se kishte dhënë shpjegime të detajuara mbi këtë pasuri dhe të tjerat. Problemet në deklarimin e kësaj pasurie u vunë në dukje edhe nga KPK.
Ndërkohë Jacobs përmendi edhe një transaksion mes bashkëshortit dhe një biznesmeni për shkëmbimin e rreth 1500 metrave tokë në Mullet me vlerë 4.5 milionë lekë me 2500 metra truall tek Fusha e Aviacionit në Tiranë me vlerë 71 milionë lekë, ose 15 herë më të lartë . Jacobs tha se një marrëdhënie mes ish-bashkëshortit dhe biznesmenit mbi një detyrim për tarifat e avokatit që biznesmeni i kishte pasur ndaj tij, ishte deklaruar si e mbyllur më herët. Por ai tha se më pas Imeraj, e kishte deklaruar edhe shkëmbimin e volitshëm të pronave si pjesë e shlyerjes së borxhit.
Ngjashëm si në rastin e një makine Opel Astra të shkëmbyer me një BMW X5, Imeraj u mbrojt duke thënë se bëhej fjalë për persona të lirë që me vullnet të lirë kishin bërë kontratën e shkëmbimit, duke thënë se “çdo gjë ishte ligjore”.
Gjetjet në kriterin e pasurisë dhe qëndrimin e Imerajt për to u përmendën edhe nga KPK. Relatimi që nisi nga pasuri pa probleme, vuri në dukej disa mosdeklarime dhe disa pasuri me mungesë burimesh, por edhe pse u përmend analiza financiare, KPK nuk tha sa ishin minuset e Imerajt.
Kjo vetë në fjalën e saj përmendi bilance negative në vlera të vogla dhe këmbënguli njohje të të ardhurave nga qiratë, të ardhurave të bashkëshortit nga puna dhe të ardhura të tjera, që siç dukej nuk ishin konsideruar të ligjshme në gjetjet e KPK.
Imeraj dhe Jacobs u përplasën po ashtu edhe mbi shtëpinë 5-katëshe në të cilën ajo banonte, bashkë me ish-bashkëshortin dhe të afërmit e tij. Imeraj pretendoi se ajo ishte ndërtuar para martese, por shtoi se burimet e saj ishin të ligjshme.
KPK dhe Jacobs vunë në dukje se kostoja e deklaruar prej 4 milionë lekësh nuk përputhej me koston e përllogaritur nga Enti Komnbëtar i Banesave që llogaritej në rreth 17 milionë lekë. Imeraj tha se bashkëshorti kishte paguar vetëm kostot për katin ku banonin dhe pretendoi se ish-kunati kishte dërguar nga Britania përmes bankës, shumat që duheshin për të mbuluar pjesën tjetër.
Jacobs pretendoi se ligjërisht, ish-kunati nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe se puna e tij në një lavazh ‘në zotërim’ në Mbretërinë e Bashkuar kishte prodhuar më pak para nga sa ai kishte dërguar në Shqipëri.
Figura dhe profesionalizmi
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri një përshkrim pozitiv të dy kritereve të tjera të rivlerësimit të Imerajt- profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës. KPK u shpreh se qoftë DSIK, qoftë ata vetë nuk kishin gjetur probleme të figurës dhe as kontakte të papërshtatshme.
37 denoncime që u tha se ishin marrë, u përmendën përciptazi. Relatori Ilia theksoi se disa ishin të përsëritura dhe se në total ishin vetëm 26 denoncime që ishin marrë parasysh. Imeraj pretendoi se nga këto denoncime, vetëm 3 kishin të bënin me punën e saj si prokurore dhe pjesa tjetër kishin të bënin me çështje penale në Prokurorinë e Tiranës, por që nuk ishin çështje të saj.
Ngjashëm, Komisioni u shpreh pozitivisht për profesionalizmin e Imerajt. Në relatim u tha se në dokumentet e shqyrtuara nuk ishin gjetur probleme dhe ajo u vlerësua ‘maksimalisht’. Ilia përmendi disa herë me nota pozitive punën e Imerajt dhe bilancin e saj.
Prokurorja vetë po ashtu shtoi në këtë vlerësim se në çështjet që kishte dërguar në gjyq – me mbi 200 të pandehur, vetëm dy prej tyre kishin marrë pafajësi, duke theksuar se kjo tregonte cilësinë e hetimeve dhe punën e bërë.
Jacobs megjithatë u duk se nuk ishte dakord me asnjë prej vlerësimeve. Ai vuri në dukje se Gjykata e Romës në Itali kishte dënuar dy persona për trafik qëniesh njerëzore dhe përdhunim të një prostitute dhe ngriti akuzë se të dënuarit kishin qenë bashkëshorti i Imerajt dhe kunati i saj. Jacobs tha se dënimi ishte dhënë në vitin 2002 dhe se ky kontakt nuk ishte deklaruar nga Imeraj.
Ai tha se mbrojtja e saj në këtë pikë se “nuk kishte dijeni”, i lindte dyshime.
Imeraj vetë ironizoi se këto të dhëna vinin nga denoncimi i rremë. Ajo tha se institucionet shqiptare në të cilat kishte pyetur, nuk kishin asnjë informacion që ish-bashkëshorti apo ish-kunati ishin dënuar. Duke ironizuar një fjali të Jacobs mbi mosnjohjen e italishtes, Imeraj tha se këto nuk mund të përdoreshin në proces kundër saj.
Ajo shtoi se akuza nuk ishte e vërtetë dhe se bëhej fjalë për persona të tjerë me mbiemrin Bajri. Ajo tha se në 2 vjet e gjysmë kishte dhënë përgjigje për të gjithë personat që dilnin në internet me mbiemrin e saj apo ish-bashkëshortit dhe shtoi se këto ishin mbiemra të përdorur dhe se jo të gjithë ishin të afërm të saj apo të ish-bashkëshortit.
Ndërkohë mbi profesionalizmin, Jacobs tha se hiqte dorë nga leximi i një gjetjeje sepse ishte shumë e komplikuar për t’u shpjeguar, por i mëshoi një çështje droge të prezantuar edhe nga Komisioni dhe për të cilën vetë Imeraj kishte dhënë përgjigje në fjalën e saj.
Jacobs tha se bëhej fjalë për një hetim ndaj një të dyshuari si drejtues i një grupi trafikantësh të 700 kilogramëve hashash. Ai tha se grupi ishte hetuar nga një prokuror tjetër, që më pas e kishte veçuar dosjen ndaj të pandehurit B.P.
Ky i pandehur dyshohej si drejtues dhe si personi që kishte porositur 20 kamionë me materiale inerte për të mundësuar transportin e lëndëve narkotike deri në vendin ku do e merrte gomonia në plazhin e Shëngjinit. Pjesa tjetër e grupit ishin dërguar në gjykatë dhe ishin dënuar. Dosja ndaj B.P i ishte dhënë Imerajt dhe një kolegu nga drejtuesi i atëhershëm i prokurorisë, Besim Hajdamataj.
Jacobs tha se pas marrjes së dosjes ndaj B.P, Imeraj kishte bërë kërkesë për arrestimin e tij në maj të atij viti.
“Ky është një vendim i jashtëzakonshëm,” tha ai, duke treguar vendimin e ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda që miratonte kërkesën e Imerajt. Jacobs tha se vendimi tregonte se të gjitha provat dhe përgjimet e lidhnin B.P me trafikun dhe madje e bënin atë të dallueshëm si bos.
Por Jacobs shtoi se një muaj pas kërkesës për arrest, Imeraj kishte kërkuar në gjykatë lirimin e B.P në masën “detyrim paraqitje”, edhe pse provat e tregonin atë të përfshirë në trafikun e narkotikëve. Një muaj më vonë, prokurorja kishte vendosur ndryshimin e akuzës nga trafik droge në moskallëzim krimi dhe shpallje të moskompetecës.
Jacobs tha se kjo ishte një dukuri që e kishte hasur shpesh në hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai tha se kishte prokurorë, por jo Imeraj, që mbanin në burg për dy vjet persona për tre gram hashash, por që nuk arrestonin të dyshuarit kryesorë. Ai po ashtu tha se kishte çështje që prezantoheshin si të mëdha dhe më pas “tullumbacja shfryhej”.
Por duke iu drejtuar Imerajt, ai theksoi se e dinte pse ishte përshkallëzuar qëndrimi ndaj B.P në pak muaj, edhe pse shtoi se nuk kishte prova. Në mënyrë ironike, ai i tha asaj të mos mbrohej me faktin se kishte pasur urdhër nga shefi, pasi Besim Hajdarmataj në seancën e tij e kishte “hedhur poshtë autobusit”.
Imeraj iu përgjigj po ironikisht, duke thënë se nuk e kishte thirrur Hajdarmatajn ‘as shef, as bos’ dhe se ajo nuk ia shkarkonte përgjegjësitë drejtuesit të saj. Imeraj këmbënguli se çështja ishte hetuar intensivisht, por se një vendim i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda – që mbi të njëjtat prova kishte shfajësuar një të pandehur tjetër në atë grup, e kishte detyruar atë dhe kolegun e saj, tani pjesë e SPAK, të ndërmerrnin këtë veprim.
“Ne nuk arritëm të bindnim një anëtar të grupit të bëhej dëshmitar i drejtësisë,” tha Imeraj, duke thënë se pas kësaj nuk kishin pasur prova për të vijuar çështjen. Ajo këmbënguli se nuk kishte asnjë cen në profesionalizëm dhe se rezultatet e saj si prokurore e bënin të qartë këtë.
Në kontekstin e etikës, Jacobs po ashtu solli edhe gjetjen e tij sipas së cilës divorci i Imerajt dukej ‘fake’. Jacobs tha se e mbështeste gjetjen mbi faktin se të dy ish-bashkëshortët jetonin në të njëtën shtëpi edhe pse në vendim e gjykatës thuhej se bashkëjetesa ishte e pamundur.
Ai tha se divorci ishte kërkuar në lidhje me procesin dhe shprehu habi që Imeraj nuk kishte pasur dijeni për rrahjen që ish-bashkëshorti i kishte bërë një pedagogeje të tij që ishte anëtare e KPK, duke theksuar se kishin qenë studente në të njëjtën kohë.
Ai po ashtu referoi një përgjigje të pakërkuar dhe sipas tij të dyshimtë nga zyra e Gjendjes Civile në lidhje me vendbanimin e Imerajt, pak ditë pasi ishte administruar një përgjigje zyrtare ku shkruhej se jetonin nën të njëjtën çati.
Imeraj tha se divorci ishte i vërtetë, ndërsa shtoi se dyshimet ngriheshin sërish prej denoncimit anonim, që sipas saj ishte bazuar mbi të dhëna të rreme nga persona që identifikoheshin me emrin “Rrahim Shehu” dhe i kërkoi Jacobs të mos bazohej më në atë denoncim, por në fakte.
Gjatë fjalës së saj, Jacobs e ndërpreu disa herë, duke përsëritur shprehjen “Jo zonjë”, dhe këmbënguli se gjetjet ishin bërë prej zyrës së tij dhe nuk kishin lidhje me denoncimin.
Imeraj në këtë pikë tha se i ishte cënuar e drejta e privatësisë dhe se gjykatës i ishin kërkuar dokumente, që nuk kishin të bënin me procesin. Jacobs në nerva e sipër replikoi: “Ky është proces vetingu, ju këtu nuk keni privatësi”.
Në përballjen e gjatë Jacobs-Imeraj, komisionerët ishin në pjesën më të madhe inaktivë, ndërsa shkëmbenin pusulla me njëri- tjetrin. Komici si drejtues ndërhyri disa herë – qoftë në drejtim të Imerajt dhe qoftë ndaj Jacobs, duke tërhequr vëmendje për gjuhën e përdorur nga të dy.
Pak para fundit të séancës, edhe Komici ngriti zërin duke u kërkuar palëve të mos debatonin jashtë asaj që ishte pjesë e procesit. Seanca e shpalljes së vendimit u caktua në 26 mars në orën 9.00.