Raporti/ Balla e Hajdari më efektivët. Deputetët më “oratorë” e “memecë”, janë të opozitës

#NËRADAR


Instituti i Studimeve Politike publikoi një raport rreth punës së Kuvendit për sesionin plenar të vjeshtës së vitit të kaluar. Një nga pikat e studiuara është ajo që lidhet me votimin në Kuvend. Më konkretisht, me deputetët që kanë abstenuar më shumë gjatë votimit të projekt-kigjeve apo akteve të ndryshme. Sipas raportit, Vetëm 34 nga 122 deputetë kanë zgjedhur të abstenojnë në një ose disa nga 61 votimet e akteve ligjore në Kuvend gjatë sesionit të fundit parlamentar. “Në krye të listës së abstenuesve është deputeti Kujtim Gjuzi me 60% të votave abstenuese, i njohur për ligjërimin dhe sjelljen e tij kontroverse në parlament, ndërsa në fund të listës është deputeti i mazhorancës Fatmir Xhafaj me vetëm 2% të votave abstenuese”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ndërkohë, në studim thuhet se deputetët që kanë abstenuar më shumë janë ata që zunë vendet e lëna bosh pas largimit të opozitës nga Kuvendi. “Deputetët më abstenues të përfshirë në këtë tabelë janë të gjithë deputetë nga prurjet e reja parlamentare pas vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve parlamentare. Në listën e deputetëve me më shumë abstenime bëjnë pjesë deputetët me pak përvojë parlamentare si Kostaq Papa e Ervis Meço, Klajdi Qama e Amra Barova, Elda Hoti etj, si dhe deputetë me më përvojë parlamentare si Lefter Maliqi, Ligoraq Karamelo apo Elena Xhina”, thuhet në raport.

Një tjetër pikë e raportit është ajo që tregon se kush janë deputetët më “oratorë” në Kuvend. Studimi ka nxjerrë se ata që kanë më shumë fjalime në seancat plenare, janë deputetët që vijnë kryesisht nga radhët e opozitës. I pari në listë është deputeti Artur Roshi, por nuk mbetet pas Halit Valteri, Kostaq Papa apo Nimet Musaj, që kanë nga 11 fjalime secili në Kuvend.

Por jo të gjithë janë kaq aktivë. Madje, sipas studimit një numër i konsiderueshëm deputetësh nuk kanë folur fare në seancat plenare. “Në sesionin e fundit parlamentar vijon trendi i 20%-25% të deputetëve që nuk përfshihen në debatet parlamentare dhe një pjesë e tyre as nuk lënë as gjurmë në aktivitetin vendimmarrës parlamentar. Lista e mëposhtme përfshin deputetët që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim në 13 seancat parlamentare të sesionit të vjeshtës 2019, disa prej të cilëve janë të njëjtë edhe më “të heshturit” e sesioneve të tjera parlamentare të kësaj legjislature. Nga të dhënat e tabelës rezultojnë se bëjnë pjesë.

1 deputet nga Grupi “Demokrat”, 7 deputetë pa grup parlamentar, 5 deputetë nga Grupi i “Pavarur”, 2 deputet nga Grupi i “Partive të Djathta” dhe 12 deputetë nga Grupi i PS-së. Në këtë të fundit bëjnë pjesë emra të njohur të politikës përfshirë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore D.Gjiknuri (aktiv në Komision, por jo në seancë), deputeti me përvojë S.Braho (aktiv në media, por jo në parlament), si dhe deputetë të tjerë që kanë bërë “headline” në media gjatë këtij sesioni si Rr.Rraja, etj”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ndërkohë, raporti tregon se deputetët më efektivë në Kuvend janë Taulant Balla, që kryeson grupin Parlamentar Socialist dhe Rudina Hajdarit që drejton demokratët. “Në vlerësimin e përgjithshëm kreu i grupit të PS Taulant Balla vijon të jetë deputeti me pikët më të larta në klasifikim. Ai ka iniciuar ligje, ka adresuar kërkesa për informacion, ka marrë pjesë në debatet plenare dhe në komisione (në dallim nga ish kryetarët e grupeve parlamentare në legjislaturat e kaluara, të cilët në mbi 90% të rasteve nuk merrnin pjesë në mbledhje të komisioneve), si dhe ka ushtruar në maksimum të drejtat e deputetit. Ai është i privilegjuar edhe për shkak se, si drejtues i grupit ka hapësirë, mundësi dhe mekanizma shumë më të mëdha për të qenë aktiv në jetën parlamentare.

Në katër deputetë me rezultatin më të lartë në klasifikimin e efikasitetit bën pjesë edhe deputetja Rudina Hajdari, drejtuese e Grupit “Demokrat”, e cila vijon të ruajë përfaqësimin sasior dhe të rrisë atë cilësor në raport me sesionin e kaluar parlamentar. Ajo ka pjesëmarrje aktive në debate në seanca dhe në komision, ka nisma ligjore dhe amendime, ka kërkesa për interpelancë dhe për informacion, si dhe është aktive në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në debatet publike. Vlerësim të lartë ka edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, ministri më i ri i kabinetit qeveritar, Arben Ahmetaj. “Surprizë” pozitive përbën angazhimi dhe rezultati i arritur në këtë sesion nga deputeti Artur Roshi, i cili renditet në vendin e katërt nga 112 deputetë (duke lënë jashtë klasifikimit ministrat dhe kryetarin e Kuvendit)”, thuhet në raport. /Realstory.al/.



Skip to toolbar