Raporti për pandeminë, BB: Covid-19 ka lënë pasoja të rënda në shkollim

CORONAVIRUS


Studimet e fundit zbulojnë gjëra të frikshme: Në mbarë botën pandemia Corona ka pasur një ndikim shumë më negativ në shkollim se mendohej. Vajzat dhe fëmijët me të meta më të prekurit.

Edhe 21 muaj pas shpërthimit të pandemisë, shkollat ​​për miliona fëmijë mbetën të mbyllura, paralajmëron Banka Botërore në raportin më të ri për pandeminë Corona. “Disa nuk do të shkojmë më ndoshta kurrë në shkollë.” Kjo humbje e mësimeve për shumë fëmijë është “moralisht e papranueshme”.

Si pasojë konkrete, përqindja e fëmijëve që nuk janë në gjendje të lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë deri në moshën dhjetëvjeçare mund të rritet në pothuajse 70 përqind, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Para pandemisë, kjo përqindje ishte rreth 50 përqind, për shkak të mundësive të dobëta për shkollim në shumë vende.

17.000.000.000.000 $

Ekspertët financiarë të agjencisë së specializuar të OKB-së supozojnë se fëmijët e prekur nga mbyllja e shkollave do të humbasin gjithsej rreth 17 trilionë dollarë gjatë jetës së tyre. Vitin e kaluar Banka Botërore i kishte vendosur këto humbje financiare të pritura në dhjetë trilion dollarë, që do të thotë se rritja e humbjeve të pritura gati është dyfishuar.

Studimet e tyre treguan gjithashtu se fëmijët më të varfër dhe me aftësi të kufizuara janë shumë më të prekur nga mësimet e humbura sesa të tjerët. Mesatarisht atyre u është ofruar mundësia e kalimit në mësimin në distancë dukshëm më rrallë. Edhe vajzat, në përgjithësi, ishin ndër humbëset më të mëdha në aspektin mësimor nga pandemia.

Qeveritë në mbarë botën kanë marrë mbështetje ekonomike prej trilion dollarësh për të mbrojtur ekonomitë e tyre nga kriza e Coronës. Por vetëm më pak se tre për qind e këtyre fondeve janë futur në shkollim, ankohen ekspertët e Bankës Botërore./DW



Skip to toolbar