Raporti shëndetësor, tashmë e jep mjeku i familjes

AKTUALITET


Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, raporti mjekësor për personat që nisin punë të re, tashmë do të merret pranë mjekut të familjes. Në VKM-në e datës 4 shtator, lehtësohet procedura për marrjen e vërtetimit mjekësor, pasi qytetarët mund të paraqiten direkt pranë mjekut të familjes për t`u pajisur me këtë raport.

Në VKM-në e datës 7.9.2016, thuhej se: “Për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve, punëdhënësi: a) punëson punëmarrësit e tij bazuar në raportin e lëshuar nga komisioni mjekoligjor pranë çdo qendre shëndetësore, i cili dorëzohet vetëm në momentin e llimit të punës; b) kërkon kontroll paraprak shëndetësor në momentin e punësimit dhe/ose gjatë tremujorit të parë të punës nga mjeku i punës, për të siguruar që shëndeti i punëmarrësve nuk vihet në rrezik nga ekspozimi ndaj risqeve profesionale; c) kërkon ekzaminime të rregullta dhe periodike mjekësore për punëmarrësit, të përshtatshme sipas ekspozimit ndaj faktorëve specifikë të riskut në vendin e punës”, shkruhej në vendimin e mëparshëm.

Ndërsa me vendimin e datës 4 shtator, kjo pikë ndryshon duke u bërë: “Për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve a) punëdhënësi punëson punëmarrësin e tij, bazuar në raportin e lëshuar nga mjeku i familjes pranë çdo qendre shëndetësore, sipas shtojcës V, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i cili dorëzohet në momentin e fillimit të punës”, thuhet në këtë vendim, ku hiqet termi ‘komision mjekoligjor’ dhe shtohet termi ‘mjeku i familjes’.

Po në vendimin e datës 4 shtator 2019, në pikën ‘b’ të VKM-së, ndryshon duke shtuar dhe një kërkesë për mjekun e punës, që duhet ta ketë çdo kompani e madhe që ka një numër të caktuar punonjësish.

Detyrat e mjekut të punës, sipas VKM-së, në pikën ‘b’ të këtij vendimi është: “Kërkon kontroll paraprak shëndetësor në momentin e punësimit dhe/ose gjatë tremujorit të parë të punës nga mjeku i punës, për të siguruar që shëndeti i punëmarrësve nuk vihet në rrezik nga ekspozimi ndaj risqeve profesionale. Mjeku i punës duhet të kartelizojë çdo punonjës në fillim të punës e duhet të dokumentojë në kartelën shëndetësore të punëmarrësit dhe të vlerësimit të riskut të gjitha vizitat dhe ekzaminimet që do të kryejë punëmarrësi në vazhdim, sipas shtojcës VI, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Me këto ndryshime, janë qytetarët të cilët përfitojnë sepse më parë duhet të humbnin disa ditë kohë për të marrë një vërtetim mjekësor, për arsye të punësimit. Tashmë, mjafton paraqitja pranë mjekut të familjes, dhe ky vërtetim i kontrollit shëndetësor merret në kohë. /Realstory.al/



Skip to toolbar