Raportimi i institucioneve të drejtësisë, Xhafaj analizë në Kuvend: Progresi, regresi dhe ç’duhet bërë më shumë nga të gjithë

AKTUALITET


Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka skanuar procesin llogarillënës të institucioneve të reja të drejtësisë në Kuvend.

Në vijim të analizave të tij në seancat dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, arkitekti i reformës në drejtësi e ka nisur me një kritikë të hapur ku ka kërkuar më shumë kohë parlamentare për t’ju përkushtuar çdo institucioni.

“Një ushtrim kushtetues ky që megjithë zhvillimet pozitive të këtij viti, do duhej të ishte shumë më i dobishëm, më me interes për qytetarët, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe veçanërisht si një kontribut me rëndësi në forcimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës së tyre”, tha Xhafaj në krye të fjalës së tij duke vijuar se:

“Seancat dëgjimore në komision dhe projektrezolutat e sjella në seancë, të cilat dukshëm janë përgjithësisht shumë më pozitive krahasimisht me vitet e mëparshme, janë dëshmi e faktit se reformimi i drejtësisë është tashmë një proces pa kthim, një realitet i prekshëm me zhvillime shumë pozitive që rrugëtojnë paralelisht me vështirësi dhe problematika të rritjes, të cilat janë sigurisht rrjedhojë edhe e pengesave të shumta dhe mungesës së një orientimi dhe koordinimi të qartë në zbatimin e tij”, tha ligjvënësi i PS.

Sipas tij institucionet e reja të drejtësisë gjenden para sfidave të vështira, por plotësisht të arritshme.

“Para së gjithash mbetet prioritet të dëshmojnë se ndryshimi thelbësor që ka sjellë kjo reformë, pavarësia e sanksionuar më kushtetutë e ligj është duke u jetësuar në funksionimin e tyre institucional, në vendimmarrjet e tyre dhe kryesorja në pavarësinë reale të çdo prokurori e gjyqtari. Një realitet ligjor, por ende jo një realitet i prekshëm dhe i dëshmuar në praktikë kur sheh që ende prokurorët orientohen apo edhe ndikohen në vendimmarrjet e tyre nga drejtuesit e tyre, vendimmarrje të këshillave të ndikuara nga përpjekjet e individëve që kërkojnë të kthejnë frymën koorporatiste e klienteliste në vendimmarrjet e tyre, raste kur promovimi i prokurorëve apo gjyqtarëve nuk orientohet nga integriteti e vlerat individuale profesionale, por nga kredencialet e lidhjeve të tyre politike apo shoqërore, kur disa emërime në stafet e këshilltarëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe administratës nuk marrin transparencën e nevojshme. Shembuj të tillë, për fat të mirë ende të pakët, janë arsye për të qenë të vëmendshëm dhe të angazhuar për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë ndaj proceseve të tilla”, tha Xhafaj ku gjithashtu shtoi se:

“Teksa flasim për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, mbetet prioritet ndalimi i çdo përpjekje, të jashtme apo të brendshme qofshin, për të ndikuar në çdo lloj forme në pavarësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në procesin e hetimit dhe gjykimit. Precedenti Sarkozi në drejtësinë franceze s’ka pse të duket i largët dhe i pamundur për drejtësinë tonë. Mekanizmat ligjorë e administrativë në këtë aspekt duhet të monitorohen më mirë nga ILD, por edhe të forcohen nëse duhet. Ndikimi i paligjshëm në drejtësi ka ardhur koha të ndëshkohet fort politikisht, administrativisht dhe penalisht”, tha Xhafaj.

Ai tha se duhet parë me shumë përgjegjësi shkalla e angazhimit dhe përgjegjshmërisë së anëtarëve të këshillave, kryesisht atyre jogjyqtarë dhe joprokurorë duke identifikuar, parandaluar dhe ndëshkuar, përmes monitorimit dhe ndalimeve ligjore, përpjekjet e disa prej tyre, për të krijuar benefite personale për rrethin e tyre familjar, brenda ose jashtë sistemit.

Deputeti socialist tha se është momenti të kërkohet më shumë Përgjegjshmëri dhe llogaridhënie në funksionimin dhe vendimmarrjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Para së gjithash lidhur me ritmin e punës së tyre i cili ende lë për të dëshiruar. Nuk është pozitive për dy këshillat dhe veçanërisht për KLP fakti që edhe 3 vjet mbas funksionimit të tyre nuk kanë miratuar disa nga rregulloret e domosdoshme që e bëjnë veprimtarinë e tyre shumë më të përgjegjshme, më transparente dhe të monitorueshme, që ritmi dhe cilësia e vlerësimeve profesionale periodike për prokurorët e gjyqtarët është ende larg kërkesave ligjore, që ka shumë pak kontrolle mbi funksionimin, menaxhimin dhe shërbimin e kryer për qytetarët në gjykatat dhe prokuroritë e rretheve gjyqësore  etj”, tha Xhafaj.

Ai çmoi raportimet e institucioneve por sipas tij statistikat nuk duhet të shihen si qëllim në vetvete, por si bazë e domodoshme për më shumë studime, analiza dhe rekomandime prej tyre, për të kuptuar, vlerësuar dhe reflektuar më mirë ndaj dukurive të kriminalitetit në vend dhe sidomos për të miturit dhe të rinjtë, apo për aksesin e qytetarëve në drejtësi.

“Nëse do të kishte më shumë analiza dhe përgjegjshmëri në vlerësimin e situatës, sot do të kishim disa zgjidhje konkrete pozitive edhe brenda vetë kuadrit ligjor në fuqi në vend të disa shifrave dhe përfundimeve tërësisht demotivuese të prezantuara në raportet vjetore të paraqitura”, tha Xhafaj.

Ish ministri i Drejtësisë e quajti të pafalshme paaftësinë apo mungesën e kurajos për mbajtjen e qëndrimeve të duhura publike për çështje të lidhura me punën e tyre, reagimin institucional ndaj presioneve të politikës dhe akuzave publike apo edhe për çështje konkrete në hetim apo gjykim nga disa segmente të medias në interes të bizneseve apo edhe grupeve kriminale të caktuara, çka është edhe një ndër shkaqet e perceptimit të ulët të publikut për reformën.

Duke u ndalur te SPAK, ai tha se: “Bashkohem me të gjithë ata që kanë pritshmëri për më shumë rezultate domethënëse në punën e institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht të SPAK. Padyshim në punën e tyre ka shumë tregues pozitiv, të pakrahasueshëm me pak vite më parë përsa i përket goditjes së grupeve kriminale por edhe korrupsionit. Personalisht jam dakord edhe me kritikat që adresohen ndaj strukturave të reja të drejtësisë penale, që të mos rendin mbas statistikave, por të fokusohen dhe të harxhojnë energjitë kryesore për disa çështje madhore korrupsioni që qytetarët pyesin çdo ditë se deri ku është drejtësia me to. Janë çështje të “vjetra” në kohë dhe të reja, por të gjitha me ndjeshmëri të mëdha publike të cilat do t’i jepnin realisht goditje fenomenit të pandëshkueshmërisë, do t’i jepnin ligjit forcën e duhur, do fuqizonin institucionet e drejtësisë, çka do të konsolidonte edhe besueshmërinë e qytetarëve”.

Xhafaj solli edhe një shembull:

“Ne nuk mund të pranojmë  të kemi drejtësi të re me dy standard hetimi e gjykimi. S’mund të jetë ndryshe teksa sheh një ish-gjyqtar të GjK-së, çështja e të cilit shkon për gjykim në Gjykatën e Posaçme për një shtëpi 60 m2, ndërsa për disa të tjerë të flakur nga sistemi për shkak të pasurive marramendëse, deri miliona euro me letra, çështjet transferohen për efekt juridiksioni në gjykatat e rretheve gjyqësore të Durrësit, Elbasanit e Tiranës me shpresën se mund të gjendet ndonjë prokurorë që të shërbej si lavatriçe e pastrimit të dosjeve të tilla. E kjo është çështje prokurorësh, por ca më shumë përgjegjësi e drejtuesve të lartë të sistemit që mekanizmat ligjorë e institucionalë duhet t’i përdorin fort për të parandaluar këto dukuri që vënë shumë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjshmërinë e tyre”, tha Xhafaj.  

“Ne këtu dhe gjerësisht qytetarët jashtë kësaj salle, me shumë të drejtë kërkojmë rezultate nga njerëzit e drejtësisë. Padyshim kjo është gjëja e duhur, po çështja shtrohet sa të drejtë e të ndershëm jemi ne me drejtësinë e re? Kërkojmë të kemi një drejtësi ndryshe, por duke qenë ne vetë të njëjtët në mentalitet, në sjellje, në qasjen dhe raportin me të. Ne s’mund të pretendojmë drejtësinë që duhet brenda kësaj salle kur disa nuk rreshtin duke e qarë dhe kërkuar ta rikthejnë a riciklojnë atë që e përdornin deri dje si çiflig.  S’mund të pretendosh qasje të re, mbështetje apo udhëheqje të reformimit të drejtësisë së re me retorika foltoresh e tribunash partiake”, tha Xhafaj i cili u ndal edhe tek roli i Kuvedit që e konsideroi thelbësor në procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Ai duhet të përmbushë shumë më mirë se deri më sot përgjegjësitë e tij për inkurajimin, monitorimin dhe koordinimin e mbështetjes ndaj institucioneve të reja të drejtësisë. Kuvendi ka hapësirat e duhura kushtetuese e ligjore për ta ushtruar këtë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë shqetësim real dhe duan të artikulojnë kritikat dhe propozojnë zgjidhje të dobishme”, tha Xhafaj.

Xhafaj përçoi një mesazh edhe për partnerët ndërkombëtar, ku bëro ftesë për një “aleancë”.

“Përkrahja është dashamirësi e tyre, ne duhet t’ju mbetemi mirënjohës atyre, por demokracia dhe shteti i si drejtës janë përgjegjësi e jona, detyrim ndaj së ardhmes së fëmijëve tanë. Ndaj, me shumë respekt për shumicën e kolegëve në këtë sallë pavarësisht kaheve politik, dëshiroj të apeloj për një aleancë të shëndetshme të njerëzve progresistë në këtë sallë e jashtë saj, me shoqërinë civile, me njerëzit e medias së vërtetë, me grupet e biznesit të ndershëm dhe gjithë ata që e shohin drejtësinë si pushtet partner me rol kyç në proceset tona shtetformuese, si domosdoshmëri për t’a mbrojtur, për t’a mbështetur dhe për t’a ndihmuar të rritet e forcohet drejtësia e re dhe institucionet e saj përgjegjëse që sot janë më mirë se dje dhe nesër padyshim me kontributin e të gjithëve ne do të jenë shumë më mirë se sot”, tha Xhafaj.



Skip to toolbar