Kosova është ende në pritje të krijimit të qeverisë së saj, kur kanë kaluar gati 4 muaj nga zgjedhjet që i dhanë fitoren Vetëvendosjes, e cila doli forcë e parë. Për të diskutuar për situatën në Kosovë dhe nëse vendi ndodhet në një krizë në studion e “Real Story” në News24 flasin analistë dhe aktorë të politikës në Kosovë. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës nga PDK-ja Enver Hoxhaj tha se Kosova ndodhet në krizë, analisti Arian Vasjari mendon ndryshe.
“Zoti Kurti ka përparësinë se është aktor direkt në situatën politike në Kosovë. Nuk shoh një krizë politike në Kosovë. Shoh një proces politik negocimi mes dy forcave brenda një afati kushtetues. Nuk ka gjë më të shëndetshme. Në vështrimin tim nuk ka një krizë politike. Cili do të ishte elementi që të thoshim që ka krizë? Në Kosovë nuk ka një krize legjitimiteti, procesi elektoral është pranuar. Fituesit janë fituesit e humbësit janë humbësit. Për mua LDK në momentin që e ka votuar ka treguar një përgjegjshmëri elektorale politike. Ajo që në Shqipëri nuk po zgjidhet prej 30 vitesh, në Kosovë në këto zgjedhje u tregua që nuk ka probleme”, tha Vasjari.
Ndërkohë Hoxhaj shprehet kundër zgjedhjeve të reja. “Nuk mendoj se duhet të ketë zgjedhje të reja. Nuk mendoj se më 6 tetor qytetarët e Kosovës kanë votuar për të bërë zgjedhje të reja. Ka edhe pak ditë afat”, tha ai.