“Kërkojmë rezultate konkrete nga SPAK në 2020”

POLITIKË


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bëri bilancin e punës për 2019 duke treguar se pret rezultate konkrete në 2020 nga reforma në drejtësi. Gjonaj cilësoi si dy arritjet më të mëdha për 2019 të reformës në drejtësi, krijimin e SPAK dhe zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, ku pritshmëritë dhe rezultatet janë të larta prej tyre.

Gjatë takimit të zhvilluar me gazetarët, ministrja Gjonaj tha se kjo periudhë tranzitore në drejtësi ka zgjatur më shumë se sa duhet dhe se ngritja e Gjykatës së Lartë do të bëhet në fillim të 2020.

Ministria e Drejtësisë ka nisur reforma për të cilat presim rezultate për vitin 2020. Sa i përket reformës në drejtësi mendoj qe periudha tranzitore ka zgjatur më tepër se ç’duhet. Ky vit ka shënuar dy rezultate të rëndësishme, SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Kam besuar që në ditën e parë të reformës, që pavarësia e drejtësisë është e shenjtë. Ministria e Drejtësisë ka detyrimin të monitorojë procesin e reformës, gjatë 2020 do nisin takimet institucionale bashkë me BE, për te realizuar koordinimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Ka ende punë , presim ngritjen e Gjykatës së Lartë, ky proces është vonuar pak edhe për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve. Fillimi i 2020 do na gjejë me Gjykatë të Lartë, dhe kjo do ulë stokun. Lidhur me SPAK , periudha tranzitore ka vështirësitë e veta, por besoj si prokurori i përgjithshëm dhe kreu i SPAK po marrin masa sa i takon transferimit të dosjeve në kohë” tha Gjonaj.

Në lidhje me situatën e krijuara në Gjykatën Kushtetuese, Gjonaj tha se Kuvendi do i drejtohet shumë shpejt Komisionit të Venecias për të marrë një përgjigje në mënyrë që të jetë sa më shpejt funksionale. Ajo beri të ditur edhe fushatën e re të zgjidhjes së çështjeve përmes sistemit të menaxhimit të tyre, që do shërbejë në uljen e volumit të dosjeve civile në gjykata.

Për sa i takon Gjykatës Kushtetuese, besoj shumë shpejt Kuvendi do t’i cojë Komisionit të Venecias pyetjet. Duke shpresuar që kjo gjë qe zgjidhet sa më shpejt, që Gjykata Kushtetuese të funksionojë sa më shpejt. Jemi në kontakt me ministri homologe sikurse është Italia, për sistemin e menaxhimit të çështjeve. Në 2020 do lançojmë fushatën e zgjidhjes së çështjeve me ndërmjetësim, për të ulur fluksin e dosjeve civile në gjykata. Është mënyrë efektive dhe e suksesshme jashtë”- tha Gjonaj.



Skip to toolbar