“Pa reformën në drejtësi, negociatat do ishin larg”. 6 ministra të Rajonit mblidhen në Tiranë

AKTUALITET


Për të dytin vit rradhazi zhvillohet në Tiranë Konferenca Rajonale e Drejtësisë me pjesëmarrjen e ministrave të drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij në këtë konferencë ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha se Shqipëria ka bërë një transformim të thellë sa i përket sistemit të drejtësisë, si pak vende në botë. Ambasadori theksoi se Reforma në drejtësi nuk ka kthim pas.

“Po t’i hedhim sytë në të shkuarën 3 vitet e fundit shumë pak vende në botë kanë bërë këtë transformim të thellë dhe kanë pasur këtë monitorim ndërkombëtar. 40 ligje të reja u ndryshuan që kishin të bënin me qeverisjen e gjyqësorit. Rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nuk janë më pjesë e drejtësisë. Gjyqtarët që kanë kaluar vettingun nuk do të njollosen më. Duhet ti japim meritë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e humbën busullën e integritetit. Sistemi i ri i drejtësisë është një realitet në të cilin nuk do të ketë kthim pas. Tek kjo reformë i kanë hedhur sytë edhe vendet e rajonit.

Pritshmëria është e lartë që të kemi Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese funksionale. Qytetarët mezi presin krijimin e BHK dhe SPAK. Detyra kolektive është të mos ketë ngadalësim në mes të këtij rrugëtimi. BE do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë, dhe gjatë 3 viteve në vijim do të ketë burime të tjera financiare me 42 milionë euro që janë programuar për drejtësisë. dhe 34 milionë euro do t’i jepen Shqipërisë për buxhetin për drejtësinë”, është shprehur Soreca, i cili ka theksuar se reforma në drejtësi e ka afruar Shqipërinë me BE dhe është kyçe për çeljen e negociatave.

“Jemi dy javë larg nga vendimi për të ardhmen në Shqipëri, pa reformën në drejtësi Shqipëria do duhej të kishte pritur vite për të ardhur në këtë ditë. reforma ka hedhur themele shumë të rëndësishme të paanshmërisë llogaridhënies, etj. Shqipëria është e gatshme të lëvizë në një stad tjetër. Çelja e negociatave do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë, procesi i reformës do të jetë i pakthyeshëm”, tha Soreca.

Edhe ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj vlerësoi ecurinë e Reformës në Drejtësi, ndërsa tha se prioritet i qeverisë mbetet forcimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës.

“Vendet tona ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyç e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për tju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë europiane”, nënvizoi Gjonaj.

Sa i takon reformës në drejtësi, ministrja solli në fokus interesin që kanë treguar disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur shembullin e Shqipërisë mbi reformimin e sistemeve të tyre.

“Ndjehem mirë t’ju informoj se reforma në drejtësi në vendin tim ka qenë mbresëlënëse dhe rezultatet e para pozitive justifikojnë plotësisht  sfidat e vështira në rrugëtimin e gjatë, thuajse 5-vjecar të inicimit, hartimit dhe zbatimit të saj. Jam e kënaqur tek shoh që shumë vende të tjera në rajon dhe jashtë tij, shohin tek kjo përvojë modelin për t’u replikuar si një përvojë pozitive”, theksoi Gjonaj në fjalën e saj.



Skip to toolbar