Është ndërprerë mbledhja e komisionit për reformën zgjedhore. Bashkëkryetari i komisionit Damian Gjiknuri është larguar nga mbledhja e komisionit, pas pushtimit që deputetë të Rithemelimit i bënë sallës, ku pritej të mbahej kjo mbledhje.
Gjiknuri teksa doli nga salla ku ishte planifikuar të mbahej mbledhja e sotme, tha se as Oerd Bylykbashi me të cilin Rithemelimi dhe grupi i Bardhit kërkon të zëvendësojë Alibeajn, nuk ka ardhur në mbledhje.
Duke iu referuar bllokimit të mbledhjes nga deptuetët e Rithemelimit, Gjiknuri tha se as Alibeaj nuk ishte lejuar të ishte i pranishëm në sallë. Ndërsa theksoi se do gjendet mënyra që Reforma Zgjedhore të ecë përpara.
“Fatkeqësisht këtu edhe Bylykbashin nuk e kishin sjellë edhe Alibeajn nuk e kishin lejuar të vijë ndoshta për shkak të akteve të tyre vandale. Kriza e opozitës nuk do bllokojë reformën. Cdo gjë do njoftohet në kohën e duhur, reforma do ecë përpara.” u shpreh Gjiknuri.