Ish-deputeti i PD Ervin Salianji tha në emisionin “Real Story” se regjistrimi origjinal bruto është dorëzuar nga gazetari Olldashi, por prokuroria çoi për inspektim materialin e publikuar nga PD, që kishte titra dhe muzikën. Në lidhje me Fredi Alizotin, Salianji tha se ai erdhi në PD dhe kërkoi që të bëjë foto me të në mënyrë që ta komprometonte më pas.
Salianji shpjegoi më tej se ai e ka takuar Babalen së bashku me Olldashin, i cili i njoftoi se kishte një përgjim, por kërkonte garanci pasi bëhej fjalë për vëllain e një njeriu të rëndësishëm.
“Babalen e kam takuar bashkë me Jetmir Olldashin. Më kanë thënë më jepni garanci, sepse bëhet fjalë për vëllanë e një njeriu të rëndësishëm, ministër dhe drejtues i grupit për Reformën në Drejtësi. Më ka thënë që kanë qenë në burg bashkë. Agron Xhafaj dhe Babalja duhet të dënoheshin. I lanë të dy të ikin, sepse nuk donin të dënohen për grup të strukturuar kriminal. Regjistrimi origjinal është dorëzuar nga gazetari Jetmir Olldashi. Prokuroria nuk ka çuar për akt-ekspertim bruton, por materialin e publikuar nga Partia Demokratike, që kishte titra dhe muzikën”, u shpreh Salianji.
Sipas Salianjit, Fredi Alizoti është një kontingjent kriminal që nuk ka asnjë lekë në xhep dhe është në shërbim të PS.
“Fredi Alizoti ka ardhur në selinë e PD, pasi është bërë përgjimi. Florenc Hoxha e ka marrë dhe kemi folur. Alizoti më ka thënë se të PS ma kanë dhënë 200 mijë euro, Taulant Balla më ka kërkuar këto favore. Florenc Hoxha ka qenë po ashtu i përfshirë, por Prokurorisë sa duket nuk i interesonte. Alizoti është kontingjent kriminal, as 3 mijë lekë nuk i ka dhe të PS e kanë vënë në shërbim, i japin lekë gjithë kohës. Alizoti s’ka pasur kontakte me Agron Xhafajn, por me Babalen. Alizoti ka ardhur në PD që të bëjë foto me mua që të më komprometojnë”, tha Salianji.