Reja: I zhgënjyer nga rezultati, i kënaqur nga djemtë

AKTUALITET


“Kam parë dhe kam luajtur shumë ndeshje në karrierë, por një zhgënjim të tillë nuk e kisha përjetuar”. Ende nuk e beson se po kthehet në Tiranë me zero pikë, trajneri Edi Reja, i cili nuk mungon të vlerësojë lojën e djemve të tij. “Në qoftë se rregullojmë disa gabime, mund të përballemi me këdo”, duke shtuar se “djemtë luftuan për çdo top”, deklaroi ai pas ndeshjes në Stamboll ku kombëtarja kuq e zi u mund me një gol në minutën e ’90-të.  

Italiani mohon një rënie fizike në minutat e fundit.  “Edhe turqit në fund ishin të lodhur, e vërteta është se ne minutat e fundit e lamë mbrojtjen sepse na duhet fitorja për të pasur një shpresë për kualifikim. Por ai gabim në fund nuk duhej.  Jam shumë i kënaqur për lojën gjithsesi, dhe i zhgënjyer vetëm për rezultatin”.

Reja nuk jep emra, as për mirë as për keq, por nënvizon performancën e Veselit, që zëvendësoi më së miri kapitenin Hysaj. “Një ndeshje shumë e mirë e tij, më vjen keq që nuk e kanë furnizuar shumë me topa, se mund të ishte edhe më i dobishëm”.

Kombëtarja shqiptare luajti të premten në mbrëmje kundër Turqisë në Stamboll dhe u mund me rezultatin 1 me zero me një gol të shënuar në minutën e fundit të ndeshjes.



Skip to toolbar