Edi Reja e kishte parashikuar dhe jo më kot vendosi për një listë të zgjeruar për ndeshjet e para në Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë. Por tekniku i kombëtares shqiptare nuk e kishte menduar se duhet të bënte kaq shpejt ndryshime në zgjedhjet e tij.
Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se po punon për të zgjidhur problematikën që ka të bëjë me lëvizjen e futbollistëve nga njëri vend në tjetrin për shkak të masave kufizuese që lidhen me pandeminë. Kështu, Zvicra ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare, duke penguar grumbullimin e Ermir Lenjanit dhe Florian Kamberit.
Po ashtu, Armando Broja nuk mund të luajë në transfertën kundër Bjellorusisë për shkak të një kartoni të kuq me përfaqësuesen U-19. Talenti i Chelsea, që luan si i huazuar te Vitese do të jetë gati për ndeshjen kundër Lituanisë.
Në këtë mënyrë, Reja ka ftuar nga lista e pritjes, Endri Çekiçin, futbollistin e Olimpija e Ljubjanës, që mbrëmjen e shkuar gjeti edhe rrugën e rrjetës në kampionatin slloven. Ndërkohë vazhdon të jetë e paqartë situata me Marash Kumbullën.
Mbrojtësi i Veronës është bashkuar me kombëtaren, por një dëmtim rrezikon seriozisht aktivizimin e tij në sfidat e Ligës së Kombeve. Ai do t’i nënshtrohet testeve të tjera mjekësore përpara se të merret një vendim përfundimtar nga stafi i kombëtares së Shqipërisë.