RENEA, me repart të ri në 107-vjetorin e policisë. Veliu, akuza gjyqësorit

AKTUALITET


Përmes një investimi të qeverisë dhe të Bashkimit Europian me një fond prej 10 milionë eurosh, RENEA është bërë me një repart të ri, që është inauguruar të hënën (sot) me rastin e 107- vjetorit të Policisë së Shtetit. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu drejtoi akuza kundër gjyqësorit duke thënë se policia u tradhëtua në disa raste nga gjykatat. Duke bërë një bilanc të punës së policisë gjatë vitit që lamë pas, Veliu tha se numri i personave të rrezikshëm ka qenë i madh por në disa raste policia u tradhëtua nga gjyqësori. “Mbyllëm një vit me rezultate inkurajuese dhe parametra normale të Policisë. 2019 ishte me shumë ngarkesë në këto vitet e fundit. Numri i personave të rrezikshëm është me qindra. Në disa raste ishim të tradhëtuar nga gjyqësori por nuk na inkurajuan. 90 milion euro të sekuestruara në 2019, luftë përballë krimit dhe paligjshmërisë. Kemi qenë të besueshëm për partnerët duke bërë operacione me ndërkombëtarët në bashkëpunim. Mbajtëm jashtë hartës së kanabisit Shqipërinë për 2019. Sezonin turistik e përballuam pa asnjë ngjarje kriminale. Tërmetin e 26 nëntorit, mijëra policë lanë familjet dhe ishin të parët që u vendosën në operacionet e kërkim- shpëtimit”, tha Veliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se prioritet i policisë do të jetë vettingu që do të pastrojë elementët e padëshiruar në radhët e policëve, ndërsa premtoi se do të punohet për të ulur moshën mesatare të policëve. Ai gjithashtu tha se gjatë vitit 2020 policia do të plotësohet me flotë tokësore me mjete dinjitoze.

“Përgjatë 2020 do të demonstrojmë se Policia ka motivimin t’i përgjigjet krimit. Do të kemi një flotë tokësore me mjete të reja dhe dinjitoze. Do të punojmë për ngritjen e Policisë Shkencore. Akademia e Sigurisë do të transformohet, ata janë inteligjenca e nesërme e Policisë. Do të ulim moshën mesatare duke rekrutuar dhe rifreskuar në 2020 Policinë me të rinjtë. Mund të rrisim kapacitetet e brendshme duke ulur me 1.5 vite moshën mesatare në 3 vite e tjera. Vettingu që ka nisur do të pastrojë elementët e padëshiruar dhe do ta bëjë më të shëndoshë. Jemi të vendosur për të kryer misionin tonë, në mbrojtje të jetës dhe pronës”, tha Veliu.



Skip to toolbar