Si po përpiqet Gjermania të bindë BE për Shqipërinë

AKTUALITET


Agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters në një artikull të fundit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga BE, zbulon se ka parë një dokument që qeveria gjermane ua ka propozuar vendeve anëtare të BE. Përmes këtij dokumenti Gjermania synon t’u mbushë mendjen shteteve skeptike që të miratojnë pro çeljes së negociatave për Shqipërinë.

Reuters shkruan se plani gjerman propozon nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë menjëherë me Maqedoninë e Veriut por pa caktuar një datë konkrete se kur do të zhvillohet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE dhe qeverisë shqiptare. Fillimisht Shqipërisë i duhet të plotësojë një sërë kushtesh para se të zhvillohet mbledhja e parë.

Kështu thuhet në një shkrim të agjencisë së lajmeve “Reuters”, sipas të cilës, plani i Gjermanisë u është prezantuar vendeve të BE-së këtë javë, përpara samitit të ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare që mbahet në mes të tetorit. Plani, sipas “Reuters”, mund të shërbejë si një kompromis mes atyre vendeve të BE që kërkojnë të afrojnë vendet e Ballkanit dhe atyre që e shohin me skepticizëm afrimin e tyre si Franca, Holanda dhe Danimarka. Duke shprehur mbështetjen për Maqedoninë e Veriut, plani në fjalë sugjeron që takimi i parë ndërqeveritar mes ekzekutivit të Shkupit dhe zyrtarëve europianë të mbahet nga fundi i këtij viti.

Ndryshe, në vend të një date, për Shqipërinë propozohet një listë me shumë reforma që Tirana duhet të përmbushë përpara se takimi në fjalë të ndodhë.

Ato variojnë nga plotësimi i vendeve vakante të gjykatave deri tek rregullimi i ligjeve elektorale dhe ngritja e strukturës së posaçme antikorrupsion. Ndërkohë, një draft i vendimit të ministrave të BE-së në samitin e 15 tetorit, i parë nga agjencia “Reuters”, thotë qartë se negociatat duhet të hapen për Maqedoninë e Veriut, për shkak të progresit që vendi ka regjistruar me realizimin e reformave; ndërsa për Shqipërinë nuk shkruhet asgjë.



Skip to toolbar