Ky kulm ndodhi shumë e shumë muaj më parë. Gjithsesi, golat e Ernest Muçit në Ligën e Europës, kur vishte një fanelë tjetër, nuk qenkan harruar.
UEFA vendosi pikërisht së fundmi t’i kushtonte talentit shqiptar një video speciale për atë që bëri sezonin e kaluar, duke realizuar dy herë ndaj Aston Vilës në radhët e Legias së Varshavës, si dhe shumë kontribute të tjera.
Ishte vërtetimi më I fundit se Muçi tashmë e ka lënë pas nisjen e vështirë të kësaj stine sportive.
Një revansh I vërtetë për yllin 23-vjeçar, që fillimisht u la jashtë formacionit, e shpesh edhe jashtë ekipit, nga trajneri I Beshiktashit, Van Bronkhorst, por tani është përsëri titullar.
Ai u la në stol ndaj Samsunsporit në Superligën turke, por iu deshën vetëm dy minuta në fushë që të shënonte kundër Antaliasporit, në fitoren 4-2.
Në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, Muçi ishte që nga minuta e parë, dhe kundër Gaziantepit luajti plot 87 minuta. Jo më kot thuhet se “floriri mbetet I tillë edhe kur hidhet në baltë”, dhe se talenti kurrë nuk humbet. Sezonin e kaluar, Muçi shënoi 3 herë në vetëm 13 ndeshje ndonëse u bashkua në janar me ekipin nga Stambolli.
Kulmin e arriti në Kupën e Turqisë, duke e kualifikuar Beshiktashin në finale me golin e vetëm në gjysmëfinale, në fitoren 1-0 kundër Ankaragyçysë.
Po ashtu, duke shkëlqyer në finalen fituar 3-2 kundër Trabzonsporit, duke shpëtuar edicionin duke ngritur lart trofeun. /abcnews.al