Rezoluta e Kuvendit, Rusia kërcënon Shqipërinë

#NËRADAR


Një ditë përpara se në Kuvend të miratohet projekt-rezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, reagoi ambasada e Rusisë në Tiranë. Me anë të një komunikate në faqen e saj zytare, ambasada ruse kërcënon autorët e rezolutës por dhe Shqipërinë, se kjo nuk do të kalojë pa u vënë re në Rusi.

“Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia? Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla  nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi”.

“Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta  të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, shkruan ambasada.

Ambasada pretendon se në rezolutën që do të miratohet nga Kuvendi, Rusia përmendet pa provën më të vogël. “U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Më tej, ambasada e Rusisë në Tiranë vijon me sulmet e saj, duke u shprehur se “projekt-rezoluta” është plagjiaturë e asaj të Parlamentit Evropian. “Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse.

Ky është sulmi i radhës që ambasada e Rusisë në Tiranë i bën Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit, që kanë hartuar rezolutën për ndërhyrjet e huaja. Më herët, kur kjo rezolutë u diskutua në komisionet parlamentare, ambasada e Rusisë përdori tone kërcënuese për deputetët apo partnerët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në 10 tetor të këtij viti, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ngjashme për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. /Realstory.al/



Skip to toolbar