“Rezoluta kundër terrorizmit, jo kundër qytetarëve në Iran”, Balla: Në linjë me SHBA e BE

AKTUALITET


Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla theksoi se Shqipëria duhet të jetë në linjë të plotë me aleatët ndërkombëtarë në përballjen me kërcënimet globale.
“Rezoluta synon të dënojë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin dhe përdorimin e strukturave paramilitare për destabilizim,” deklaroi Balla.

Një nga pikat kryesore të dokumentit është thirrja ndaj qeverisë shqiptare për të ndërmarrë hapa konkretë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë shpalljen si organizata terroriste të:  Gardës Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahut në Liban. Sipas Ballës, këto struktura janë përdorur si instrumente të politikës së jashtme për destabilizim në rajone të ndryshme të botës.
Në deklaratën e tij, Balla nënvizoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian, ka detyrim të kontribuojë në sigurinë kolektive dhe të mbrojë rendin ndërkombëtar.

Ai solli në vëmendje edhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, duke i cilësuar si akte armiqësore që synojnë destabilizimin e shtetit.

“Shumë përpjekje të tjera janë parandaluar ose zbuluar në kohë. Por kjo do të thotë se ne nuk duhet të humbim vigjilencën, dhe vetëm pak ditë më parë përsëri Kuvendi i Shqipërisë ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik. Këto nuk janë incidente të zakonshme teknologjike, këto janë akte të mirëfillta armiqësore, që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit.

Rezoluta për të cilën ftohemi ta diskutojmë dhe synon pikërisht të adresojë këtë realitet. Në rezolutë synojmë të dënojmë në mënyrë të qartë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, të dënojmë përdorimin e grupeve proksi për destabilizimin dhe të dënojmë përdorimin e mjeteve hibride përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve të shteteve sovrane.

Rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare që në përputhje me legjislacionin tonë dhe në koordinimin e plotë me aleatët tanë të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit dhe organizatën Hezbollah në Liban si organizata terroriste, si dhe të forcojmë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shteti dhe rrjetet e tij.

Një numër i konsiderueshëm tanimë vende dhe institucionesh ndërkombëtare i kanë marrë masat e ngjashme që propozohen për t’u miratuar në këtë rezolutë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste që në vitin 2019. Në janar të këtij viti, të njëjtën gjë e bëri dhe Bashkimi Evropian. Ndërkohë, një numër tjetër vendesh antare këtu të Bashkimit Evropian dhe ndër to spikat Gjermania, Franca, Britania dhe jashtë Bashkimit Evropian Mbretëria e Bashkuar, kanë marrë masa konkrete përfshirë shpalljen si organizatë terroriste Hezbollahun.

Në këtë kontekst, qëndrimi i Shqipërisë është pjesë e një përpjekje të gjerë të koordinuar të Komitetit Ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë kolektive dhe për të parandaluar përdorimin e terrorizmit si instrument i politikës shtetërore. Dhe së fundmi, minimi i kanalit të hormuzit nga Irani është një akt tjetër terrorist i cili synon bllokimin e lëvizjes së lirë të anijeve të transportit duke shkaktuar kështu një krizë energjetike në mbarë globin.

Prandaj, nderuar kolegë, kjo rezolutë nuk është një rezolutë kundër një populli. Ajo nuk i drejtohet kurrsesi qytetarëve të Iranit të cilët janë shpesh dhe jemi të gjithë dëshmitarë, janë vetë viktima e një regjimi represiv. Ajo është një qëndrim kundër praktikave shtetërore që mbështesin terrorizmin, destabilitetin dhe përdorimin e dhunës si një akt i pastër politik. Shqipëria ka treguar vazhdimisht se është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. Kontributi ynë në NATO dhe në misionet tona ndërkombëtare është dëshmi e qartë e këtij angazhimi të vazhdueshëm. Kjo rezolutë është pra vazhdimi logjik i këtij angazhimi. Ajo është një mesazh i qartë se Shqipëria jonë e përbashkët nuk e toleron terrorizmin në asnjë formë dhe institucionet e saj janë të vendosura ta mbrojnë demokracinë, sigurinë dhe sovranitetin e vendit. Për këto arsye, i ftoj të gjithë kolegët ta votojmë së bashku njëzëri këtë rezolutë”,- u shpreh Balla.



Skip to toolbar