Rezultatet paraprake, verifikimi: Nga 29 bashki në 9 prej tyre ka mospërputhje shifrash

AKTUALITET


Përfaqësues të opozitës kanë nisur akuzat për manipulim të zgjedhjeve duke thënë se në tabelat e KQZ-së janë pasqyruar më shumë votues sesa zgjedhës.

Megjithëse KQZ sqaroi se rezultatet e publikuara deri tani në faqen zyrtare janë paraprake dhe nuk janë zyrtare, realstory.al bëri një verifikim dhe u përqëndruam tek ato bashki ku ka përfunduar procesi i numërimit të votave.

Nga verifikimet e bëra rezulton se nga 29 bashki ku ka përfunduar numërimi i votave për kryetarë bashkie, ka pasur mospërputhje në 9 prej tyre. Pra ku rezulton se ka më shumë vota sesa zgjedhës.

Konkretisht në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Bulqizë, Vorë, Lushnjë, Divjakë, Ura Vajgurore, Memaliaj dhe Selenicë. Në Malësi të Madhe, Bulqizë dhe Selenicë kanë qenë më shumë se një kandidat për kryetar bashkie, ndërsa në gjashtë të tjerat ka qenë vetëm kandidati i PS.

Po kështu probleme kanë pasur edhe diagramët e publikuar nga KQZ, pasi në disa raste është përdorur ngjyra e kuqe për kandidatin socialistë dhe në disa raste të tjera është përdorur ngjyra blu. Kjo ka sjellë konfuzion pasi njerëzit janë ngatërruar për të kuptuar se cili ishte fituesi.



Skip to toolbar