Teksa nuk na ndajnë shumë ditë nga nisja e vitit të ri shkollor 2020-2021 nën kushtet e pandemisë së COVID-19, kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim online drejtuesit e Drejtorive Rajonale dhe zyrave arsimore vendore.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë iu dha porositë e qarta drejtuesve të zyrave arsimore, ndërsa iu bëri të ditur atyre se duhet të respektojnë gërmë për gërme udhëzuesin e përgatitur nga Ministria e Arsimit, për të ruajtur shëndetin e nxënësve, por dhe të prindërve të tyre.
“Pas disa ditësh nis mësimi në një situatë të jashtëzakonshme, kur tingëllojnë shumë të vërteta aktuale. Vështirësia është sfida më e madhe për t’u kapërcyer në këtë vit shkollor. Te gjithë së bashku! Duke pasur parasysh se çfarë rëndësie madhore ka shëndeti i të gjithëve. Fëmijët nuk janë të imunizuar plotësisht nga ky virus dhe pavarësish faktit se marrja e virusit është më pak e rrezikshme se sa për më të mëdhenjtë, zinxhiri i transmetimit s’ndërpritet aty.
Duke parë se çfarë ndodh dhe nëpër botë, duke analizuar dhe numrat dhe faktet epidemiologjike në vendet e tjera, pa diskutim që jemi të shqetësuar lidhur me domosdoshmërinë për një nivel maksimal performance të zinxhirit të shkollave. Ndaj MAS ka kryer një punë të thelluar dhe ka vënë në dispozicionin tuaj një udhëzues goxha të detajuar për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. Përtej çfarë është studiuar dhe duke u analizuar përgjegjësi, duhen shumëfishuar energjitë. Duhet ta bëni natën ditë pa u lodhur dhe të jeni në krye të detyrës në terren, ju personalisht dhe të gjithë ata që punoni çdo ditë. Për të ndjekur udhëzimet, nga gërma e parë, nga faqja e parë në të fundit. Këtu nuk është më çështja për të kryer një detyrë shtetërore, por për të qenë në këtë detyrë shtetërore, ën lartësinë e një humanizmi të spikatur, të gjithë ju.
Për të qenë shembull dhe burim energjie. Që nga drejtuesit e shkollave, deri tek mësuesit dhe prindërit. Kjo do të thotë që udhëzuesin, jo vetëm duhet ta mbani mirë parasysh në çdo paragraf te tij, por ta mishëroni ju të parët. E dini shumë mirë që funksionimi i shkollës do të jetë ndryshe nga vitet e tjera dhe shkollat do të funksionojnë me 1 dy apo deri në 3 turne. 1097 shkolla kanë një turn, 479 shkolla kanë 2 turne dhe 183 shkolla kanë 3 nënturne. për shkollat me numrin të madh nxënësish mësimi do zhvillohet me turne dhe orë 30 minutëshe. Në klasa duhet të respektohen rregullat dhe s’duhet të ketë më shumë se 20 nxënës.”, tha Rama.