Rishfaqet në skenë një nga emrat e përfolur të çështjes “Kokaina”. Frederik Durda, një nga protagonistët kryesorë të këtij procesit është kthyer në vëmendjen e autoriteteve ligjzbatuese. Leko Durda i cili njihet edhe me emrin Frederik është shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese në Holandë pasi akuzohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që kryen trafik kokaine nga Amerika e Jugut në drejtim të vendeve të BE-së. Gjithashtu mbi supet e Frederik Durdës rëndon edhe akuza e pastrimit të parave.
Bëhet fjalë për një hetim të nisur nga një prokuror holandez në muajin shkurt të vitit 2019, ndërkohë që në shtator 2019 autoritetet holandeze kanë goditur dhe arrestuar disa nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, mes tyre dhe atë që konsiderohet si kreu i këtij grupi që është një shtetas kolumbian. Frederik Durda sipas autoriteteve holandeze dhe sikurse përshkruhet në dosje rezulton të jetë një nga eksponentët kryesorë të këtij grupi që ka aktivitet jo vetëm në shtetin e Holandës por edhe në disa shtete të tjera të BE-së.
Më 12 shtator ekipi hetimor ka ndaluar shumë të pandehur dhe ka sekuestruar 12 mln euro. Në vëzhgime të ndryshme është vërejtur shtetasi Leko Durda gjatë takimeve me të pandehurin kryesor, shtetas kolumbian. Po ashtu në pamjet e kamerave të sigurisë shihet Leko Durda, i cili ndihmon të pandehurin kryesor duke lëvizur valixhe të mëdha në të cilat janë gjetur dhe sekuestruar shuma të mëdha cash. Edhe një tjetër banesë ku janë sekuestruara para, besohet se Leko Durda ka qëndruar për një kohë të gjatë. Për këtë arsye nga autoritetet holandeze janë kërkuar të dhëna pranë autoriteteve shqiptare, konkretisht nga Ministria e Drejtësisë, nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit për këtë shtetas sepse kërkohet informacion në lidhje me aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri.
Sipas të dhënave të mbërritura nëpërmjet letërporosisë rezulton se shtetasi Leko Durda është i datëlindjes 26.4.1958, ndërkohë që nënshtetësia e tij është shqiptare. Letërporosia ka mbërritur më 24 shtator 2019. Ashtu sikurse rezulton në dosje bëhet fjalë për një numër të madh personash të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar që trafikonte tonelata kokainë sipas dosjes, nga Amerika e Jugut në drejtim të BE.
Më 24 shtator 2019 ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marrë kërkesën nga homologu i saj në Mbretërinë e Holandës për të marrë dhe për të ekzekutuar një letërporosi. Zonja Gjonaj sipas informacioneve, ia ka përcjellë atë Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK për të bërë gati materialin dhe për tua dorëzuar autoriteteve holandeze. Nga informacioni i autoriteteve shqiptare zonja Gjonaj e ka firmosur kthimin e letërporosisë në qershor të këtij viti. Ajo që bie në sy janë pyetjet që autoritetet holandeze i kanë bërë shtetit shqiptar dhe konkretisht autoriteteve ligjzbatuese. “A ka bërë Leko Durda ndryshime të ligjshme të emrit dhe mbiemrit?”, “A është përfshirë Leko Durda në veprimtari kriminale dhe nëse po në çfarë lloj veprimtarie?”, “A ka qenë Leko Durda më parë i dënuar në Shqipëri?”, “A ka njohuri tek autoritetet shqiptare lidhur me pyetjen se a ka Durda lidhje të ligjshme apo të paligjshme me Spanjën, Ekuadorin, Kolumbinë dhe nëse po në çfarë cilësie?”, “A ekzistojnë informacione të njohura nga autoritetet shqiptare sipas të cilave Leko Durda zhvillon biznese të ligjshme apo të paligjshme me kriminelë në shtetin e Spanjës?”.
Janë këto dhe pyetje të tjera përmes të cilave Ministria e Drejtëisë me ndihmën e prokurorive iu ka dhënë përgjigje dhe ia ka përcjellë letërporosinë e detajuar autoriteteve holandeze. Ndërkohë që Policia e Shtetit është duke bërë kërkime ditë pas dite me qëllim lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e Frederik Durdës kjo pasi ka dyshimet se mund të ketë hyrë në territorin shqiptar pas shpalljes në kërkim nga Holanda. Deri tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat. Por jo vetëm Holanda e kërkon Durdën si pjesë e grupit kriminal. Historia e Frederik Durdës është një histori e jashtëzakonshme si pjesë e një prej dosjeve më të bujshme.