Pas shtyrjes së kampionatit për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti, Superliga rikthehet të shtunën me tre sfida. Bylisi pret Partizanin, Luftëtari pret Vllazninë ndërsa Tirana pret Kukësin në “Selman Stërmasi”. Në prag të kësaj sfide, trajneri i bardhebluve, Julian Ahmataj foli për mediat. Ai u shpreh se skuadra është në gjendje të mirë, ndërsa tha se përballja ndaj Kukësit duhet fituar.
“Gjendja e skuadrës është e mirë. Problemet si të tërmetit kanë kaluar, por besoj që kemi punuar shumë këto kohë. Kemi vënë disa gjëra në rrugën e duhur dhe shpresojmë t’i marrim benefitet kësaj pune të bërë. Unë s’mendoj se Tirana s’ka qenë ndonjëherë favorite. Për ne është ndeshje e radhës që duhet fituar si çdo ndeshje e kampionatit. Për ne vlen 3 pikë, jo më shumë se aq”, tha Ahmataj.
Bardheblutë i presin dy sfida të rëndësishme, Kukësi dhe më pas derbi me Partizanin. Ahmataj thotë se po punon që skuadra të jetë e qetë dhe të luftojë për të marrë tre pikët në të dyja sfidat. “Unë s’kënaqem kurrë me barazim. Ne do hymë në fushën e lojës për të dhënë maksimumin. Normalisht Tirana, ju po e shikoni që po punohet shumë. Duhet t’i përgatisë ndeshjet me mënyrën e duhur, me qetësinë e duhur sepse në fund fare është një ndeshje që ka 3 pikë. Nuk ka presion fare. Unë çdo presion e kam marrë mbi shpinë, po ta shikoni edhe në situatat e javëve të kaluara. Të gjithë janë marrë me mua. E kam anashkaluar skuadrën nga kjo pjesë. Çdo gjë do ta marr vetë përsipër”, tha trajneri.
Ahmataj thotë se objektivi i Tiranës mbetet titulli kampion. Por trajneri thotë se për të arritur deri atje është rrugë e gjatë, ndërsa ekipi duhet të japë maksimumin në çdo takim. “Nuk e vë fare në dyshim objektivin për titull kampion. Besoj se ne do shkojmë përpara për të shkuar te titulli. Se sa do të arrijmë, ne kemi për detyrë të japim maksimumin si unë, ashtu edhe lojtarët sepse ne nuk kemi rezultatin në dorë. Pas atij maksimumi kemi mundësi t’i marrim ndeshjet”, tha ndër të tjera trajneri.