“Ringjallja” e industrisë ushtarake/ Balluku: Kritike për mbrojtjen tonë. Pas paketës ligjore, shumë shpejt do kemi rezultatet e para

AKTUALITET


E pranishme në hapjen e punimeve të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurinë Industriale, zëvendëskryeministrja njëhereësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes”.

“Ky takim zhvillohet pikërisht në një moment shumë deçiziv për ringjalljen e industrisë tonë të mbrojtjes, kur vetëm në mbyllje të sesionit veror të parlamentit ne kemi arritur që të kalojmë një sërë ligjesh, të cilat tashmë kanë nisur zbatimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para. Ky kuadër i ri rregullator promovon zhvillimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes dhe përmirëson zbatimin e standardeve për të rritur ndërveprueshmërinë dhe sigurinë, duke hequr gjithashtu pengesat për tregtinë dhe investimet mes aleatëve dhe partnerëve. Në këtë kornizë më të gjerë, vihet re qartazi kalimi i Shqipërisë nga një konsumator i sigurisë në një ofrues sigurie në rajon”, – tha Balluku.

Event sjell në Shqipëri përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO dhe BE.

Fjala e plote:

Është një kënaqësi e veçantë të shikoj sot këtu shumë miq, aleatë e partnerë të mbledhur së bashku në këtë plenum të rëndësishëm mbi sigurinë industriale, një temë kritike për sigurinë tonë kombëtare, por dhe atë kolektive. Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm, padyshim kjo është siguria.

Gjatë dekadës së fundit, fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes. Dekada e fundit është karakterizuar nga një sërë ngjarjesh me përfshirje globale, që kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përkeqësimin e sigurisë dhe cenimin e normave dhe parimeve që kontribuojnë në një sistem të qëndrueshëm ndërkombëtar.

Ngjarje të mëdha me impakt për shoqërinë njerëzore, siç është rasti i pandemisë, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, situata e sigurisë në Lindjen e Mesme, por dhe zhvillimet në rajonin e Indo-Paqësorit, të gjitha këto kanë kombinuar në një mënyrë të tillë me konkurrencën në rritje për burimet e energjisë dhe unë përveç pozicionit tim si Zëvendëskryeministre në të cilën po adresoj sot, jam dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndaj çështjen e sigurisë energjetike e kam një nga pjesët më të rëndësishme të portofolit tim dhe e di sesi po përdoret sot si një nga armët virtuale më të rrezikshme për të cenuar sovranitete apo edhe lirinë e vendeve të ndryshme. Ndaj të gjitha këto së bashku kanë shtuar kompleksitetin dhe kanë krijuar një peizazh të jashtëzakonshëm të sigurisë globale.

Njëkohësisht, aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global. Këto rreziqe tradicionale, por dhe të pazakonta bashkëjetojnë, duke prodhuar një mjedis në të cilin siguria po testohet në mënyrë që nuk e kemi parë më parë. Teksa shqyrtojmë këto situata globale, është thelbësore të nënvizojmë rrezikun e shtuar që paraqesin sulmet hibride dhe kibernetike. Këto nuk janë më rreziqe hipotetike apo të izoluara. Luftërat e sotme zhvillohen jo vetëm në fushëbetejë me armë konvencionale, por dhe në hapësirën kibernetike, ku infrastruktura kritike, linjat e furnizimit dhe industritë e mbrojtjes janë objektivat e tyre të preferuara.

Shqipëria ka mësuar shumë nga sulmi i paprecedent kibernetik i kryer nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, i cili synoi infrastrukturën e saj kritike të informacionit dhe ndërpreu shërbimet publike. Një nga gjërat më të rëndësishme që mësuam është se, pavarësisht nga madhësia e shtetit, është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë. Kjo na çon në çështjen thelbësore të zinxhirit të furnizimit, i cili përbën një nga dobësitë më serioze globalisht.

Çrregullimet globale, duke filluar nga pandemia deri te kompleksiteti në rritje i zinxhirëve të furnizimit industrial dhe të mbrojtjes, kanë ekspozuar brishtësinë e këtyre rrjeteve.

Sjellja agresive e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë pengon aftësitë tona për të mbajtur zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm, të cilët janë thelbësorë për prodhimin e mallrave ushtarakë dhe operacioneve të mbrojtjes. Ndërprerjet dhe rreziqet e zinxhirëve të furnizimit në mbarë botën përkojnë me vendimin e NATO-s për të rritur fondet e mbrojtjes në Samitin e Uashingtonit. Aleatët e NATO-s kanë marrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e industrive tona të mbrojtjes. Këto buxhete të rritura përfaqësojnë jo vetëm një investim në pajisjet ushtarake, por edhe një angazhim për të siguruar infrastrukturën industriale që i mbështet ato. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes për të zbatuar strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s.

Si rezultat, Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes. Për të thënë të drejtën ky takim zhvillohet pikërisht në një moment shumë deçiziv për ringjalljen e industrisë tonë të mbrojtjes, kur vetëm në mbyllje të sesionit veror të parlamentit ne kemi arritur që të kalojmë një sërë ligjesh, të cilat tashmë kanë nisur zbatimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para.

Ku kuadër i ri rregullator promovon zhvillimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes dhe përmirëson zbatimin e standardeve për të rritur ndërveprueshmërinë dhe sigurinë, duke hequr gjithashtu pengesat për tregtinë dhe investimet mes aleatëve dhe partnerëve. Në këtë kornizë më të gjerë, vihet re qartazi kalimi i Shqipërisë nga një konsumator i sigurisë në një ofrues sigurie në rajon. Interesat tona strategjike janë në përputhje me ato të demokracive perëndimore, janë në përputhje me kërkesat e NATO-s dhe BE-së. Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat në rritje të rajonit, që përfshijnë manipulimin e informacionit, përpjekjet destabilizuese dhe aktet armiqësore nga vende të treta në lidhje me interesat politikë sigurisht në radhë të parë, por më pas edhe ato dhe ekonomikë pikërisht në një nga zonat më të nxehta atë të Ballkanit Perëndimor. Siguria industriale është pra, kritike për mbrojtjen tonë kolektive; pa të, ne komprometojmë bazën e aftësive tona ushtarake. Në këtë kontekst, Grupi i Punës Shumëkombësh për Sigurinë Industriale (MISWIG) luan një rol thelbësor në adresimin e këtyre çështjeve. Ky grup promovon bashkëpunimin ndërkombëtar, për të siguruar që praktikat më të mira ndërkombëtare për sigurinë industriale të ndahen midis partnerëve, përmirësohen dhe të harmonizohen midis vendeve anëtare me mendësi të njëjtë. Përmes këtij bashkëpunimi, ne mund të përmirësojmë sigurinë industriale për programet dhe projektet ndërqeveritare, duke mbrojtur informacionin e klasifikuar dhe atë sensitiv nga kërcënimet aktuale dhe ato të ardhshme.

Tema që do të nxisë diskutime profesionale mes jush gjatë kësaj jave është padyshim “BASHKËPUNIMI I QËNDRUESHËM.”

Bashkëpunimi i qëndrueshëm në sigurinë industriale është i nevojshëm për të siguruar mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në infrastrukturat kritike dhe industrinë e mbrojtjes. Për të vendosur masa të qëndrueshme sigurie, duhet ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin agjencitë qeveritare, sektorin privat, aleatët dhe partnerët tanë.

Pjesëmarrësit mund të zgjidhin çështjet e sigurisë industriale në mënyrën më efektive duke ndarë praktikat më të mira, përparimet teknologjike dhe informacionet e inteligjencës që tashmë po zhvillohet akoma dhe më shumë. Për më tepër, lidhja e këtyre përpjekjeve me kuadrin ndërkombëtar të sigurisë, si dhe standardet e NATO-s, siguron që fondet e mbrojtjes të shpenzohen siç duhen në projekte të përbashkëta shumëpalëshe dhe informacioni i klasifikuar të mbrohet përtej kufijve kombëtarë. Bashkëpunimi i qëndrueshëm promovon një përgjigje të unifikuar, duke siguruar qëndrueshmërinë industriale në një habitat të sigurisë që po evoluon vazhdimisht.

Mbrojtja e informacionit të klasifikuar është kritike për të siguruar integritetin e bizneseve tona të mbrojtjes. Shqetësimet e sotme shtrihen përtej përvetësimit të sendeve fizike; kundërshtarët synojnë aktivisht të hyjnë në infrastrukturat digjitale dhe të vjedhin të dhëna të vlefshme. Sot lufta, siç thamë, nuk është thjesht konvencionale, por është një luftë virtuale, e cila zhvillohet dita-ditës dhe fakti që Shqipëria ka kaluar në vitin 2022 një nga testet më të vështira, është vendi i duhur për tu mbledhur dhe për të ndarë me njëri-tjetrin të gjithë eksperiencën që ne krijuam nga një armik i fuqishëm, i cili goditi në mënyrë virtuale një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por që nga ana tjetër Shqipëria luan një rol facilitator brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një nga vendet me qëndrueshmërinë, me paqen dhe sigurinë në nivelin më të lartë.

Në mbyllje të fjalës sime dua t’ju uroj të gjithëve një javë të suksesshme dhe frytdhënëse. Dua që t’ju bëj një thirrje e cila është jashtë këtij paneli dhe ka të bëjë me faktin që ju ndodheni në Shqipëri. Kështu që përveç punës së mirë, përveç eksperiencave që do të ndani me njëri-tjetrin, praktikave më të mira, jepini pak kohë vetes dhe unë mendoj që kolegët që drejtojnë këtë forum, kolegët shqiptarë, do bëjnë të pamundurën për t’ju prezantuar ju me një nga vendet më interesante për zhvillimin turistik.

Sapo kemi mbyllur numrat dhe kemi rakorduar që nga 1 janari deri më 31 gusht, Shqipëria është vizituar nga 8.5 milionë vizitorë. Është një nga vendet më interesante, pasi në një territor shumë të vogël, Zoti ka vendosur bashkë detin, malet e larta, njerëzit me zemër të madhe dhe për më tepër me artin e shkëlqyer të kulinarisë.

Ndaj unë do ti bëja thirrje grupit organizator shqiptar që të tregojnë aftësinë e tyre më të mirë të mikpritjes, për ti treguar të gjithëve se kush është në të vërtetë Shqipëria, që përveç sigurisë dhe qëndrueshmërisë ka shumë më tepër për të ofruar.

Shumë faleminderit për vëmendjen. Ishte kënaqësi dhe nder që të isha këtu së bashku me ju sot dhe shpresoj që ky forum të ketë frytet më të mira të bashkëpunimit dhe padyshim të ndarjes së informacionit mes palëve.



Skip to toolbar