Kryeministri Rama tha se drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i PS-së për brezat që vijnë, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe SPAK-ut nuk prekët – vetëm forcohet.
Ai shtoi se ngritja e prezumimit të pafajësisë është një domosdoshmëri dhe propozon dy muaj dialogu të brendshëm në mars dhe nëntor për anëtarët dhe simpatizantët socialistë, për të rikthyer fokusin te punët dhe objektivat e partisë.
“Ne, si zotërues të shumicës së caktuar, në lidhje me drejtësinë duhet të udhëhiqemi nga kjo e vërtetë e madhe: drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i PS-së për brezat që vijnë. Pavarësia e gjyqësorit nuk preket – vetëm forcohet; SPAK-u nuk preket – vetëm forcohet. Politika penale, procedurat penale, fushat e nepunesve civilë, riorganizimi i kufijve mes çështjeve penale dhe juridike janë në rend të ditës. Në radhën më të parë është ngritja e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë; kjo është një domosdoshmëri shoqërore që ka dalë nga trauma e komunizmit dhe pasojat e saj. Shqiptarët që rrinë në burgje pa gjyq janë përgjegjësia jonë dhe çështja jonë; ai numër, që vendos Shqipërinë te parafundit për raportin mes dënimeve dhe pafajësive, është përgjegjësi jonë dhe këto nuk na i merr askush dhe nuk ia delegojmë askujt. Për këto duhet të përgjigjemi ne gjithkujt.
Është një tematikë e vendosur në rendin tonë, ndaj jemi angazhuar me ministritë e Europës që na kanë vënë një rrjet ekspertësh në fushën e politikës penale, me këshillimin e Europës, që na ka vënë në dispozicion ekspertët e vet. Drafti i ri i kodit penal është një punë kolosale nën udhëheqjen e profesor Arben Rakipit, pasi u reflektuan edhe një lumë vërejtjesh, dhe e kemi ndarë së bashku edhe me mbështetësit e qeverisë së Holandës, që na kanë vënë në dispozicion ekspertë me përvojë.
Të qëndrojmë tek fokusi, tek punët tona, dhe propozoj që në mars dhe nëntor t’i bëjmë dy muaj të familjes sonë socialiste, për të rikthyer dialogun e brendshëm për anëtarët dhe simpatizantët tanë, për gjithçka që duam të ndajmë.”
