Rinovimi i Reja, Duka: Të kënaqur, por s`kemi vendosur

#NËRADAR


Presidenti i Federatës Shqiptare Armand Duka, foli nga Turqia para nisjes së ndeshjes së kombëtares. Ai u shpreh se atmosfera është fantastike dhe motivuese për të dyja skuadrat. “Atmosfera është fantastike, i motivon të dyja skuadrat. Është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe për ekipin turk. Për ne, për të vazhduar atë fije shprese që kemi. Dhe turqit për të marë kualifikimin”, tha Duka.

Më tej, Presidenti i FSHF-së, u shpreh se në 17 nëntor, në Shqipëri-Francë, ndeshja që do të luhet në “Arenën Kombëtare”, do të jetë dhe më e bukur. Ndërsa, lidhur me masat e sigurisë në stadiumin turk, Duka u shpreh se “ndoshta lidhet me mosrespektimin sa duhet të ligjit”.

“Ne mezi presim të luajmë në “Arenën Kombëtare”. Do krijojmë një dekor akoma dhe më të bukur. Mesatarja e çmimeve këtu nuk është më e shtrenjtë se në Tiranë. Nuk e di nëse duhet të ketë apo jo armë në stadium. Duhet të jenë të gjithë “fer” dhe të respektojnë ligjin”, tha Duka.

Më tej, ai foli në lidhje me rinovimin e trajnerit Edy Reja, duke u shprehur se për këtë do të vendoset pas përfundimit të kualifikueseve, por la të kuptohet se situata është pozitive. “Për rinovimin le të shohim ndeshjen, por dhe ndeshjet e tjera. Ne jemi të kënaqur për mënyrën se si Edy Reja ka punuar deri tani. Mund të them që jemi pozitiv. Unë jam shumë i lumtur që ne ta fitojmë ndeshjen. Jam njeri që dua ta fitojmë ndeshjen, por se çfarë do japi fusha, këtë duhet ta presim”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Në fund, ai tregoi se trajnerit Edy Reja i qëndron afër para ndeshjeve, me qëllim që t`i largojë presionin e përgatitjes së ndeshjes. “Profesioni i trajnerit më duket një nga më të vështirët në botë. E mendoj që kanë një ngarkesë të madhe para ndeshjes. Aq më shumë trajneri i ekipit kombëtar. Jo vetëm Reja, por çdo trajneri, që i rrijë sa më afër, e bëj për ti larguar emocionet para ndeshjes. Ky ka qenë qëllimi, për ta bërë sa më të qetë”, tha Duka.



Skip to toolbar