Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla nuk e lë të kalojë kollaj çështja e hetimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për lobimin me paratë ruse. Përmes një postimi në Facebook, Balla shkruan (duke iu referuar deklaratave të bëra nga vetë Ristani) se Ristani është jo vetëm bashkëpunëtor, por edhe dëshmitar i lobimit të PD-së me para të dyshimta. Ai thotë se prokuroria duhet të zbardhë përmes hetimit se kush është personi që mori paratë cash nga Shqipëria dhe i dërgoi në Skoci? Duke renditur deklaratat e Ristanit dhe akuzën e prokurorisë Balla shkruan se më qartë se kaq nuk ka dhe se të gjitha këto implikojnë kreun e PD-së.
“Më qartë se kaq nuk ka. E thotë vetë PD. Ristani është sa bashkëpunëtor, aq edhe dëshmitar:
“Kemi një kontratë zyrtare të firmosur nga kryetari i partisë dhe një lobist amerikan, Muzin…”
….”Është një marrëdhënie që Kryetari në emër të PD-së ka lidhur një marrëveshje me lobuesin, unë nuk kam qenë në dijeni”.
Hetimi i plotë duhet të zbardhë edhe kush ishte personi që transportoi paratë nga Shqipëria në Skoci”, shkruan Balla.
Prokurorët e çështjes kanë akuzuar kreun e PD-së, Lulzim Basha se ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve”, ndërsa kanë rrëzuar akuzën për pastrim parash. Megjithëse dy prokurorë kanë firmosur mbylljen e hetimeve, prokurori i tretë ka refuzuar të firmosë pasi ka mungesë provash dhe kërkohet edhe dëshmia e lobistit Nicholas Muzin. Ky i fundit ka kërkuar garanci se nuk do të hetohet nga drejtësia shqiptare, në mënyrë që të japë dëshminë e tij.
Nga ana tjetër, prokurorët që kanë hetuar dosjen ndaj Lulzim Bashës, kanë arritur të zbulojnë se 500 000 mijë dollarë, nga 675 mijë të dhëna gjithsej për lobimin, janë dhënë “cash”, pra jo në rrugë bankare ashtu siç do duhej të ndodhte.
“Në rastin konkret kemi hedhje të dhënash jo të përputhura me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një Kompani me administratorë të lidhur me aktivitet biznesi me shtetas rusë. Është fshehur shuma prej 500 000 dollarësh që është dhënë “cash” nga Subjekti Partia Demokratike te kompania e huaj private për të bërë lobim në SH.B.A. me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor të vitit 2017”, citohet nga dokumentat e Prokurorisë.
Nisur nga ky fakt ngrihen shumë pyetje dhe një nga këto është edhe pyetja që ngre Taulant Balla se kush është personi që dërgoi paratë nga Shqipëria drejt Skocisë?