RMV voton të dielën qeverinë teknike me kryeministër shqiptar/ Analisti: Shumica janë në krah të Talat Xhaferi

AKTUALITET


SHKUP- Të dielën, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë Qeverinë Teknike me kryeministër Talat Xhaferin. Mandati i qeverisë teknike do jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij formati të organit ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të zhvillohen më 8 maj 2024.

Analisti i njohur, Xhelal Neziri, duke folur për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadakun tha se zgjedhja e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka një simbolikë domethënëse.

Ai shtoi se shumica e deputetëve janë në krah të tij dhe beson se do ta mbështesin Talat Xhaferin për t’u zgjedhur në krye të qeverisë teknike. “Shumica janë në krah të Talat Xhaferit. Ai do të drejtojë një qeveri teknike, ndërsa simbolika është e fuqishme”, tha ai.

Ndërkaq, sa i takon procesit zgjedhor, partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo çështje u komentua nga analisti, i cili shtoi se kjo qasje e VV-së duket si ndërhyrje në procesin zgjedhor të një shteti tjetër. Ai shtoi se kjo është një temë e nxehtë, që duhet trajtuar me kujdes.

“Figura të lartë të VV kanë qenë të pranishëm edhe në zgjedhjet e kaluara në RMV. Në 2016 ata përkrahën Lëvizjen BESA, morën pjesë në protestat që ajo organizonte, bilez dhe Kurti ka qenë në një protestë kundër qeverisë në Shkup. Është hera e parë që kjo parti kandidon me kandidatë të saj. Mendoj se kjo mund të kuptohet si ndërhyrje të drejtpërdrejtë të një shteti tjetër, në procesin zgjedhor, dhe është një temë shumë sesnitive. Është një temë e nxehtë, e ndjeshme, e cila besoj se duhet trajtuar me kujdes nga partitë dhe nga shtete që janë pjesë e këtij rajonit. Nuk duhet të ndërhyhet në garën e brendshme zgjedhore”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al



Skip to toolbar