Rodri është fituesi i Topit të Artë për vitin 2024.
Mesfushori i Manchester City bëhet kështu spanjolli i dytë që e fiton këtë trofe, pas Luis Suarez, që e fitoi në vitin 1960
“Kam shumë njerëz për të falenderuar. Ata që kanë votuar për mua, ata që kanë besuar te mua, është një ditë e rëndësishme për mua, familjen time dhe vendin tim. Faleminderit të dashurës sime, Laura, e cila sot festoi saktësisht tetë vjet me mua, pa të nuk do ta kisha pasur këtë rrugëtim”, tha Rodri pasi mori çmimin.
Më tej, ai përmendi dhe dy shokët e tij të ekipit te Spanja: “Carvajal po vuan nga i njëjti dëmtim si unë dhe e meriton të jetë këtu në këtë foltore. Lamine Yamal do ta fitojë këtë çmim një ditë. Ky është një shpërblim për futbollin spanjoll, për lojtarë si Iniesta, Xavi, Busquets…”.
Në ceremoninë e Topit të Artë mungoi Real Madrid, pasi mori vesh që as Vinicius dhe as Bellingham nuk do të ishin fituesit e këtij çmimi. Braziliani dhe anglezi përfunduan respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.