Roland Lami: Mbrojtja e Berishës, u bë strategji e PD! Zekthi: Opozita është pa një projekt politik, s’mund të pretendojë ndryshimin

Më të fundit


Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Roland Lami foli për situatën në Partinë Demokratike. Ai theksoi se në këto vite ajo çfarë ka treguar PD është vetëm fakti se mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha, u bë një strategji e PD, duke mos dhënë asnjë projekt.

“Rimarrja e PD nga Berisha i ka eklipsuar. Mbrojtja e Berishës u bë strategji e PD, pra fati ligjor i Sali Berishës u bë fati ligjor i PD. Pra mbeti vetëm një; çfarë do të bëhet me zotin Berisha, cili është fati i zotit Berisha? Ky ka qenë gjithë ligjërimi në vitet e fundit, në këto kushte njerëzit e kanë të vështirë të shohin një figurë të dytë apo të tretë. Sepse kishte vetëm një çështje, fati i zotit Berisha… A është e mirë kjo për demokratët? Këtë nuk e di”, tha Lami.

Nga ana e tij analisti Fitim Zekthi, shtoi se Partia Demokratike nuk mund të pretendojë të vijë në pushtet, duke qëndruar në vend numëro, dhe se deri më sot nuk ka shfaqur asnjë projekt politik.

“Nuk mund të jesh opozitë që tenton të marrësh pushtetin nëse nuk ke një projekt politik. Nuk ka opozitë në botë që të rrijë në vend pa ndryshuar as narracionin, as ekipin. Të rrijë në vend dhe të thotë unë do të ndryshoj, s’ka kuptim. Por ajo as nuk dëshiron që ta përfaqësojë ndryshimin…PD dhe PS janë dy parti shumë të mëdha…Këtu jo vetëm që nuk ka ndryshuar partitë shumë të mëdha, por edhe lidershipi është po ai. Gjithë kjo, pra nuk e lejon partinë që të kthehet në ndryshim”, theksoi Zekthi.

Ndërsa analisti Frrok Çupi u shpreh: “Ata nuk e kanë seriozisht politikën. Njerëzit kanë kuptuar që nuk kanë asnjë ide, asnjë qëllim politik, për ta bërë këtë vend… Problemi apo sëmundja më e madhe në PD nuk është përçarja, por kualiteti në zero. Përçarja në PD pas asaj sëmundje shumë të rëndë që edhe Berisha tha “nuk iki, ishte copëtimi”… Pra ka ndodhur, në PD tashmë nuk janë Alibeaj, nuk është Basha. Flasim për PD që është këtu tek Saliu që nuk kanë konflikt deri sa të vijnë zgjedhjet, por nuk mund të ketë një garë cilësie apo votash”.



Skip to toolbar