Rrëfimi nga Ismail Kadare: Një dialog i pabotuar mbi dashurinë, seksin, jetën, frikën dhe vdekjen!

AKTUALITET


Në 86 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare po sjellim disa pjesë të pabotuara nga libri “Kohë për rrëfim”, një dialog i shkrimtarit të madh mbi dashurinë, seksin, jetën, frikën dhe vdekjen apo librat e palexuara. Si e ka lënë në mes leximin e Xhojsit dhe pengjet e jetës në 86 vjetor…

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të stinës”, pasi japin një tablo të plotë të socializmit në Shqipëri. Sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë do të duket e pabesueshme se si është shkruar ky diptik në kohën e socializmit.

Cilat janë për ju tregimet e parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Novelat e Migjenit. Studenti në shtëpi, p.sh., ku përshkruhet shpirti i trazuar i një studenti shqiptar, i cili kthehet prej studimeve nga një vend përparimtar, në Shqipërinë e prapambetur. Ishte koha e Zogut dhe ai duhet të jetonte këtu. Ky personazh më ngjante me mijëra studentë të kthyer nga jashtë, me traumën e kthimit që gjenin në Shqipëri, një vend i mërzitshëm komunist, nga i cili ata ndiheshin të huaj.

Çfarë gjinie ju pëlqen të lexoni e çfarë nuk lexoni?

Lexoj rrallë poezi e më shpesh prozë.

Çfarë librash mund të na befasojnë në raftet tuaja?

Është pyetje e vështirë. Unë kam shumë libra në bibliotekën time prej 40 vjetësh, është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje.

Një personazh libri më i parapëlqyer juaji?

Hamleti është një personazh që të gjithë adoleshentët krijojnë një lidhje me të. Sot, kur kthehem pas në kohë, tek ai gjej një brengë të rinisë, një pakënaqësi, një sy kritik ndaj botës, një fat që nuk ecën, një pengesë që është e keqe si çdo pengesë, por edhe e bukur në thelbin e saj. Hamleti ishte një personazh që nuk ngjante fare me “birbot” pozitivë të vendeve socialiste. Ishte e kundërta e heroit pozitiv.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexoja vetëm librat dramatikë, ata hijerëndë, ata që kishin peshë, prandaj kjo më ka shpëtuar nga fryma pseudopozitive e socializmit, gjëja më e rrezikshme për shkrimtarët. Ata që binin pre e saj ishin pa dinjitet.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Sigurisht që jam futur. Bibliotekat mezi t’i jepnin librat, sepse i kishin në kopje të pakta. Por librat më të neveritshëm ishin ata me heronj pozitivë.

Keni pasur një kontradiktë me heroin pozitiv?

Po, një mospëlqim. Fëmija me intuitë e ndien se në jetë ka gjëra që nuk shkojnë mirë. Ka gjëra të trishtueshme, të mallëngjyeshme etj.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Makbethi. Ndërsa libri që më nervozonte shumë ishte Nëna e Maksim Gorkit; gjithë ajo flamë, ai hidhërim për nënat, për baballarët, tek tërë shkrimtarët e vegjël.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Muzgu i perëndive të stepës.

Pse?

Nuk e di pse!

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

S’e di. Kam frikë nëse do ta kuptonte apo jo, ose do ta kuptonte së prapthi.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Më duket e pamundur një zgjedhje e tillë, do të kishte shumë. Do ta quaja fatin më të madh të jetës sime.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Jo, nuk më kujtohet. Kur isha i ri, nisa të lexoja me qejf Gardën e re. Ngaqë karvani i personazheve të bukura e pozitive kishte ende forcë të tërhiqte si histori, por më pas e kuptova kurthin që krijonte për letërsinë. Libri Shpartallimi m’u duk i mrekullueshëm, pasi ishte e kundërta e kësaj.

Cili do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Një grumbull grash ndoshta.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

S’para kthehem te ndonjë libër sërish, megjithëse në mendje më kalojnë shpesh mendime.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Për asnjë.

Çfarë keni ndër mend të lexoni tjetër?

Uliksin e Xhojsit, pasi e kam lexuar pjesë-pjesë.

Eqrem Çabej?

E kam njohur. Kemi biseduar, por rrallë. Kisha përshtypjen se ishte tip i mbyllur dhe nuk kam dëgjuar të ketë pasur mik zemre. Do të kisha dashur të bëja me të biseda për enigmën e gjuhës, por më dukej disi e pamundur.

Pse?

Mënyra e të menduarit tonë ishte e ndryshme.

Jusuf Vrioni?

Vrioni kishte një kuptim të letërsisë që ndryshonte shumë nga imi dhe të linte përshtypjen se ishte njeri i mbyllur për çështje të thella letrare. Ishte dhe shumë i traumatizuar nga trysnia e shtetit shqiptar. Pothuajse gjithmonë u shmangej temave delikate, gjë që e dëmtonte cilësinë e afrimit.

Po ju bëj të njëjtën pyetje që Mario Vargas Llosa ia drejtoi Gabriel Garsia Markezit: “Shpesh njerëzit pyesin veten: Për çfarë duhen shkrimtarët? Të gjithë e dinë për çfarë duhet arkitekti, për çfarë duhet inxhinieri, për çfarë duhet mjeku, por, kur bie fjala për shkrimtarin, lindin dyshime. Për çfarë duhesh ti si shkrimtar?”

Kjo hyn në pyetjet që nuk do ta kenë kurrë një përgjigje të saktë. Disi ngjan me pyetjet se përse duhet dashuria? Ose të ngjashme si kjo pyetje.

Vetmia është cilësuar gjithnjë si një “temë e rrezikshme” ndër shkrimtarët. Markezi shprehet: “Nëse do të mund të shpjegoj pikërisht vetminë, atëherë ajo do të bëhet tejet racionale, tejet e vetëdijshme dhe do të pushojë së më interesuari…” Cili është përkufizimi juaj për vetminë?

Vetmia është e ndryshme, në kohë të ndryshme e vende të ndryshme te njerëz të ndryshëm. Prandaj është dhe e rrezikshme, por do të shtoja se sa e rrezikshme aq edhe e domosdoshme është ndonjëherë për shkrimtarin. Letërsia krijohet në vetmi dhe ne s’mund ta rinovojmë këtë gjë dhe s’duhet ta rinovojmë kurrë.

Kur thoni e rrezikshme, çfarë nënkuptoni me rrezik?

Nënkuptoj pak a shumë atë që ndodh me ndjenjën e dashurisë, që e përmenda më lart.

A duhet që shkrimtari ta bëjë të ditur përkatësinë përmes temave që prek? A duhet domosdoshmërisht që temat e letërsisë suaj të jenë vetëm shqiptare?

Nuk është e domosdoshme. Në letërsi qëllon që ajo çfarë është mungesë te njëri mund të jetë meritë te shkrimtari tjetër.

Sot duket sikur bisedat mbi realizmin në letërsi kanë mbaruar. Në fakt, unë do të doja të diskutonim pak se ç’do të thotë realizëm, cilët janë kufijtë e tij? Ju e konsideroni veten si një shkrimtar realist?

Realizmi është një term, para së gjithash i dëshpërueshëm, i pafat, i keqpërdorur. Pjesëmarrës, herë pas here, në terrorin kundër letërsisë. Askush nuk mund ta gjejë se çfarë e bën një vepër letrare të paarritshme për nga niveli: realizmi apo e kundërta e tij.

Çfarë mendoni për poezinë në kohën e sotme?

Në kohën e realizmit socialist kaloi në shumë vende si një sëmundje, si një furtunë. Nëse një furtunë mund të quhet të jetë e mërzitshme, e rreme etj., edhe “trazimi poetik”, me të cilin spekulohet kaq shumë, ka luajtur një rol tepër negativ, si çdo gjë e rreme që fryhet në botë. Ngazëllimi i njohur i poetëve skematikë ka qenë diçka që i ngjante një sëmundjeje ngjitëse, që përpiqej të dublonte ngazëllimin e artit. Më duket se u ngatërrova në këtë gjë…

E keni quajtur veten poet?

Jo. Nëse ndieja herë pas here një ndjenjë “turpi” nga letërsia, kjo vetvetiu lidhej me atë që quhej ana poetike e saj. Aq më tepër, ishte e bezdisshme ajo prirje universale, ku çdo ndjesi delikate njerëzore ta quanin poezi. Kjo e keqe lidhej me të keqen e tmerrshme, skematizmin politik. A po shkëputet bota prej saj? Vështirë ta thuash. Nganjëherë takojmë vargje poetike që ngjajnë sikur janë ngjizur nga vetë gjuha. P.sh., shprehjet e ngjashme me vargëzime popullore, si: “Hanko mos shko nëpër varre se të vdekurit i ngjalle”, ose “nga muri do ngjitem ta di që do të vritem”.

Po citoni poetët anonimë? Mos është kjo një sfidë ndaj atyre që njihen si poetë?

Bisedat për sfida më duken zakonisht të pakryeshme, të pamundura.

A kemi ne një histori në poezinë shqipe?

Natyrisht që kemi. Mendoj se është e pamungueshme kjo lloj historie në të gjitha letërsitë.

Kur ka qenë poezia e fundit që keni shkruar?

Nuk e mbaj mend.

Si i zgjidhni titujt tuaj të librave?

Nuk kam pasur ndonjë vuajtje për titujt asnjëherë, as ndonjë ngulmim, që ata të jenë të bujshëm.

Hemingueji e shkroi 47 herë fundin e romanit Lamtumirë armë, për të mbërritur te fjalia: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel.” Për shumë autorë, fundi i një libri është mundim. Si ka qenë ky proces në krijimtarinë tuaj?

Fundi i një libri nuk më lodh, më jep gjithnjë një kënaqësi. Fundet janë diçka e afërt me mua, ndihem i afërt me to dhe përkundrazi, kam një lehtësim. I vetmi mundim, nëse mund të quhet i tillë, është një zgjedhje, që për mua është e këndshme gjithmonë. Zakonisht i pëlqej fundet, është një element që, siç duket, te shkrimtari e shkakton lëvrimi i poezisë. Një shkrimtar i lidhur me poezinë i ka më të lehta fundet. Më është krijuar kjo ngulitje në kokën time.

Në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar, filozofë si Uolter Benjamin folën për vdekjen e romanit. Vetë postmodernizmi do të ndikonte në një ikje prej realizmit. Si e shihni ju romanin sot?

Romani në letërsi është një gjini e rëndësishme. Mendoj se të gjithë shkrimtarët kanë një tërheqje gati magjike nga kjo fjalë, ky koncept, ky përfytyrim. Fjala roman ka dalë nga letërsia për t’u përdorur në pjesët më delikate të jetës njerëzore. Kjo tregon atë hijen e tij, që unë e quajta të mbarë në jetën njerëzore. Për mua fjala e njohur në të gjitha gjuhët, roman, është një nder që letërsia i ka bërë vetes, duke arritur që t’i japë tingëllim kësaj fjale. Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë vdekje të romanit.

Cesare Pavese ka thënë se ajo që kujtojmë nuk janë ditët, por çastet. Cila është vlera e çasteve në histori?

Në histori, në jetë, në kalendarin e jetës njerëzore, çastet shfaqen në mënyrë shumë kapriçioze. Ato janë shpesh më të thella sesa duken, ose e thellë është vonesa e tyre, siç mund të jetë vërtetuese për diçka, ose e rreme. Do të doja që të mos flisja për këtë gjë të pashtershme.

Çfarë vlere kanë pasur çastet në jetën tuaj?

Sigurisht që kanë pasur vlerë. Ndonjëherë e kam kuptuar këtë vlerë dhe ndonjëherë jo.

A keni ju një kufi midis trillimit dhe realitetit gjatë procesit të shkrimit?

Unë përpiqem ta mendoj këtë gjë pa kufi, të pakufizuar.

Përse shkrimtarët e kanë të vështirë të shkruajnë për seksin?

Është një pyetje, në pamje të parë, e thjeshtë, por që në një bisedë me një shkrimtar ka brenda saj pamundësinë për t’u përgjigjur. Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale. Rrjedhimisht, edhe dialogët për të bëhen të tillë.

Sa i rëndësishëm ka qenë seksi në veprat tuaja?

Nuk kam asnjë ide në ka qenë apo jo i rëndësishëm.

Çfarë ju tremb tani?

Asgjë! Më tremb vetë ecja e jetës, ashtu siç më gëzon e hidhëron.

Për çfarë ju merr malli?

Më merr malli shpesh, por e kam të vështirë ta gjej. Një herë më merr për diçka, e herë për një gjë tjetër, ngjarjet ndërrojnë rolet.

E prisni këtë vit çmimin “Nobel”?

S’e di! Zakonisht, ka një grup shkrimtarësh që përmenden kur afrohet koha e këtij çmimi.

Kemi folur jo shumë për dashurinë…

Gjithçka mund të ndodhë në dashuri. Përderisa kjo është një sferë e panjohur dhe do të mbetet e tillë deri sa të shuhet njerëzimi, ne s’mund ti dimë misteret e saj.

Çfarë duhet të bëjë njeriu për dashurinë?

Gjithçka dhe asgjë.

Kur thua asgjë, çfarë mendon. Mendon se duhet ta lëmë të iki nëse nuk na përgjigjet, apo duhet të luftojmë për të?

Sigurisht që duhet të luftosh për të. Por duhet ta bësh këtë luftë duke mos harruar kurrë dimensionet e panjohura të saj.

Pas botimit të librit Kur sunduesit grinden, ju u shprehët se nuk do të shkruanit më. Sigurisht që një deklaratë e tillë i trishtoi lexuesit tuaj.

Është diçka që natyrshëm u vjen herë pas here shkrimtarëve. Nuk duhet shqetësuar për deklarata të tilla. Nuk janë të hareshme, por nuk janë as të pikëllueshme, sa mund të duken.

Kjo do të thotë se mund të kemi një libër të ri nga ju?

Kjo s’përjashtohet të thotë edhe këtë.

A keni pengje?

Jo, unë nuk kam pengje, por në regjimet e vështira duket e natyrshme që shkrimtarët të kenë pengje se pse nuk shkruan këtë apo atë vepër. Nuk kam ndonjë peng të kësaj natyre. Duket sikur ato që kam dashur më tepër të shkruaj, i kam shkruar dhe ky është çlirimi i ndërgjegjes. Po nuk e ke këtë peng, shkrimtari është i çliruar nga shumë pengje, pasi nuk njeh peng tjetër në botë.

Marrë nga “Kohë për rrëfim” – Dialog me Alda Bardhylin



Skip to toolbar