Kuvendi nuk humb kohë dhe thërret Këshillin për të futur në axhendën parlamentare rregulloren e re.
Urdhri i firmosur nga kryetari i parlamentit Niko Peleshi, parashikon mbledhjen e këshillit të mërkurën e datës 15 prill për këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese mori vendimin në datën 23 shkurt pas padisë së PD, por ka tejkaluar afatin e 30 ditëve duke mos zbardhur vendimin.
“Kemi diskutuar për detyrimin që ka Kuvendi që menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, se Gjykata Kushtetuese është në shkelje të ligjit të vet, sepse brenda 30 ditëve duhet të kishte zbardhur vendimin. Prej 23 shkurtit kur e mori vendimin, duhet ta kishte zbardhur brenda 23 marsit, por nuk kemi hyrë tek propozimet. Por duhet ta dimë se propozimi duhet të shkojë tek Këshilli”, tha Taulant Balla.
Partia Demokratike nuk e pranon mbledhjen e Këshillit të Rregullores, ndërsa të vetmit që kanë një propozim konkret për rregulloren e re janë sërish socialistët, duke u bazuar pikërisht tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Më 23 shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi padinë e PD, dhe i kërkoi Kuvendit të miratojë edhe njëherë ndarjen e komisioneve parlamentare, kësaj radhe jo me procedurë të përshpejtuar por normale për të përfshirë edhe opozitën në diskutime.
Duke mos prekur numrin e komisioneve të përhershme parlamentare, PS edhe kësaj radhe ka propozuar të njëjtin numër, 11 komisione. Me propozimin e ri, socialistët propozojnë po ashtu shkurtim të minutazhit të fjalës në parlament për ministrat e deputetët, nga 10 në 5 minuta si dhe disa kompetenca shtesë për Komisionin e Nismave Qytetare dhe Mbikëqyrjes Institucionale.
Më 23 shkurt, Gjykata Kushtetuese i la afat Kuvendit 30 ditë pune, ose në afat maksimal 2 muaj kohë të diskutonte e miratonte rregulloren e re, por ndërkohë me vonimin e zbardhjes së vendimit po djeg edhe afatin që i la vetë Kuvendit.
