Vasilia Kacifas, nëna e ekstremistit të vrarë nga RENEA, Kostandinos Kacifas është vënë nën hetim nga prokuroria e Gjirokastrës pas thirrjeve për luftë mbi varrin e të birit. Sektori i luftës kundër terrorizmit në policinë e shtetit në Tiranë i ka transferuar materialet hetimore në prokurorinë e Gjirokastrës dhe akuza për Vasilia Kacifas është nxitja e dhunës dhe e urrejtjes.
Më 26 tetor në ceremoninë e 1 vjetorit të vdekjes së Kostandinos Kacifas, nëna e tij bëri thirrje për luftë kundër shqiptarëve, ndërsa tha se Vorio Epiri është tokë greke.
“Trimi im, jemi grekë, autoktonë, në këtë tokë jemi grek autoktonë, jemi ortodoksë, asnjëri nuk mund të prekë krishterimin tonë dhe kombin tonë. Jemi grekë. Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë në Kakavijë? Se janë tradhtarë. Çohuni trima, rrëmbeni tokën, jemi grekë autoktonë. Vorio-epiri është tokë greke, nuk na ndalon asgjë. Ju të gjithë të rinjtë, çohuni rrëmbeni shpatat dhe armët, mos kini frikë asgjë, se këta po na frikësojnë. Këtu ka diktaturë nuk ka shtet, rrëmbeni bombat, rrëmbeni pushkët thyejuni turinjtë, vritini! Rroftë bashkimi. Do luftojmë dhe asgjë nuk do na ndalë. Jam krenare për ty biri im”, ishin disa nga fjalët që Vasilia Kacifas tha mbi varrin e të birit.
Kostandinos Kacifas i njohur për bindjet e tij ekstremiste pro Greqisë dhe kundër Shqipërisë u vra nga forcat Renea 1 vit më herët pasi refuzoi të dorëzohej dhe pasi qëlloi me armë në drejtim të policisë.