500 banorë në çadra: Momente të tmerrshme, nuk duam të kthehemi në shtëpi

AKTUALITET


Rreth 500 banorë kanë kaluar natën në çadrat e ngritura nga emergjencat civile pas tërmetit të fuqishëm të së shtunës, ndërkohë që ende janë në panik dhe kanë frikë të kthehen në banesat e tyre. Rreth 563 banesa janë dëmtuar dhe 28 pallate kanë pësuar plasaritje. Të frikësuar për një përsëritje të kësaj situate banorët kanë zgjedhur të mos e kalojnë natën në banesat e tyre por t’i drejtohen çadrave e ngritura nga shtabi i emergjencës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Për Report TV qytetarët shprehen se vijojnë të mbeten të tronditur nga lëkundjet e fuqishme që shoqëruan vendin gjatë të shtunës teksa shprehen të frikësuar për të kthyer në banesat e tyre. “Jam 46 vjeçe nuk e mbaj mend ndonjëherë këtë lloj tërmeti. Unë banoj te pallati i bardhë i kohës së Enverit, në katin e tretë dhe të futesh në dhomën e ndenjes… Në maj kam bërë punime të reja, muri është i çarë… Nuk di! Nuk mund të rrija brenda në shtëpi. Ankth, nuk mbushem dot me frymë. Jemi të kënaqur me këto (shtretërit) pak që kanë bërë këto, por në shtëpi nuk mund të shkojmë sonte. Ishin vërtetë shumë të tmerrshme sinqerisht kemi pataksur, kemi ulëritur me të madhe dhe kemi dalë nga shtëpia. Materiale mund të them jo, po pak krisje në tavan kemi”, thotë qytetarja.


Ndërsa një tjetër tregon se në ato momente po gatuante. (Shumë keq, s’ka më keq. Qëllova në shtëpi atë moment dhe po gatuaja. Edhe bombula më ka ra me gjithë tenxheren e gjellës më ra përtokë. S’jemi të zotët me ik në shpi me flejt gjumë si njerzit. M’ka nda dyert, mi ka plasarit komplet anësoret”, shprehet një tjetër qytetare.

Për drejtorin e Zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj situate e vështirë tashmë ka kaluar dhe të gjithë institucionet vendore janë të angazhuar për të qenë në shërbim të qytetarëve.

“Në këto orë të vona po kujdesemi që gjithë qytetarët që kanë nevojë për strehim, për ushqim për sistemim në qendrat e evakuimit strehimit të gjejnë rehatinë e tyre. Këtu jemi siç e shihni dhe vetë në momentin e montimit të çadrave ndërsa në zona të tjera qytetarët janë strehuar dhe në qendra sociale gjithashtu dhe në palestrat e shkollave. Gjendja paraqitet normale, pothuajse të gjithë qytetarët që kanë pasur nevojë për ndihmë kanë gjetur gatishmërinë e gjithë shërbimeve. Ne kemi bërë dhe një takim në prefekturën e qarkut me gjithë drejtorët e qarkut të Tiranës, ku janë përcaktuar dhe detyrat ku është ndërtuar dhe koordinimi i veprimeve dhe mendojmë që gjendja është optimale”, shprehet Goxhaj.




Skip to toolbar