Interneti ka transformuar jetën moderne, duke ofruar komunikim të shpejtë dhe qasje të pakufizuar në informacione. Mirëpo, interneti ka krijuar mundësi të reja për keqpërdoruesit, sidomos ndaj fëmijëve, të cilët përballen me rreziqe si Cyber bullying, pornografia apo materiale të tjera të dëmshme.
Për rreziqet me të cilat përballen fëmijët në internet po diskutohet mbrëmjen e së hënës në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, me të ftuar Altin Hazizaj, drejtues i qendrës për të drejtat e fëmijëve, ekspertin e IT Tomi Kallanxhi dhe gazetaren e ABC News për çështjet sociale Ajgena Korbi.
Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi thotë se është e rëndësishme që të trajnohen prindërit në mënyrë që ata të kuptojnë se si mund të kontrollojnë fëmijët dhe çfarë bëjnë ata në internet.
Gazetarja Ajgena Korbi foli për fëmijë që kanë shfaqur probleme si ankth, depresion për shkak të internetit.
Pjesë nga diskutimi:
Altin Hazizaj: Ka një problem, e para nuk është interneti por çfarë hidhet në internet. Interneti është “tubi i ujit” ku pimë ujë të gjithë. Nëse dikush përzien këto ujëra dhe hedh diçka në këtë pellgun e ujit që konsumojmë të gjithë padiskutim, shikojmë se fillon dhe bëhet dëm. E dyta, kur është ndërtuar gjithë çështja e internetit, nuk është ndërtuar për fëmijët por për të rriturit. Qëllimi kryesor është që njerëzit komunikojnë me shpejtësinë e dritës. Deri këtu jemi në rregull. Ajo çfarë ndodh është që ekosistemi që kemi krijuar, që përdor internetin për të na shfaqur imazhe dhe informacion, këtu fillon dhe bëhet dëmi. Problemi në vetvete nuk është interneti. Ne kemi faqen tonë, këto përbëjnë ekosistemin. Me daljen e rrjeteve sociale, ka filluar problemi që të shtohet dhe agravohet sepse rrjetet sociale u ndërtuan për të rritur, automatikisht gjejnë veten edhe fëmijët. Pikëpyetja është nëse duhen lejuar fëmijët që të kenë akses në rrjetet sociale që është vetëm një ndër platformat që sot gjen në këtë ekosistemin e madh të komunikimit.
Tomi Kallanxhi: Ndoshta duhet të trajnojmë edhe pak prindërit. Të gjithë aplikacionet e social medias kanë një mjet që quhet supervision, që shumë pak prindër e dinë se si përdoret. Të gjithë smartphonet, iphonet kanë një digital wellbeing, shohin sa orë rri fëmija rri në aplikacion dhe kam dyshimet e mia që prindërit i kontrollojnë këtë gjë. Në momentin që prindi e lidh account-in e vet me atë të fëmijës, ai e kontrollon në kohë reale kë ka bërë follow e tjerë me radhë. Dhe në momentin që fëmija bën 18 vjeç, account-i shkëputet automatikisht por që duhet të fillojnë nga prindërit këtë gjë dhe të mos e shohim këtë gjë si një drogë. Këta gjenerata alfa që janë fëmijë, nuk janë njerëz të social media. Rrinë nëpër virtual stores, virtual games. Kanë një avatar. Ka ndryshuar mënyra, gjenerata që po rritet nuk rri fare në social media.
Ajgena Korbi: Për vetë faktin se kë kontaktojnë në rrjete sociale, është edhe ajo sa qëndrojnë në rrjete sociale. Duke qëndruar gjatë, mjekë, psikiatër dhe psikologë kanë ngritur shqetësimin se shëndeti mendor po vihet në ngërç. Po krijohen shqetësime të tilla si ankth, depresion, fëmijë të irrituar, që mbyllen në vetvete dhe nuk shoqërohen në jetën reale. Ky është shqetësimi kryesor në SHBA, ku ka studime por edhe nga kontakti që kam pasur me mjekë në Shqipëri. Te mjekët, psikiatër dhe psikologë, janë paraqitur prindër të shqetësuar për sjelljen e fëmijëve të tyre. Thonë që duke pasur një realitet ndryshe, ai që shikon në rrjetë sociale, nga ai që mund të jetojë, fëmija përjeton ankth, shqetësim. Mund të bëhet nervoz, të ndryshojë sjelljen./abcnews.al