Pasi Irani pranoi zyrtarisht se kishte rrëzuar pa dashje avionin ukrainas duke i marrë jetën 176 personave në bord, Ukraina tha se Teherani duhet të kërkojë zyrtarisht falje. Presidenti ukrainas Zelensky kërkoi nga Irani një hetim të plotë të rastit dhe vënies para drejtësisë të autorëve si dhe një kërkim falje zyrtare nga ana e tij për sulmin.
“Ky mëngjes nuk ishte i mirë, por ajo solli të vërtetën. Edhe para përfundimit të punës së komisionit ndërkombëtar hetimor, Irani e pranoi fajin e tij. Por ne insistojmë për një pranim faji të plotë. Ne presim nga institucionet e Iranit gatishmërinë për një hetim të plotë dhe të hapur, sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, kthimin e trupave të viktimave, pagesën e kompensimit dhe kërkim faljeje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, tha presidenti i Ukraninës, Volodymyr Zelensky.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit më herët njoftoi se avioni ukrainas u godit “aksidentalisht” nga sistemi iranian i mbrojtjes ajrore.
Avioni Boeing 737-800 i Linjës Ajrore të Ukrainës u rrëzua të mërkurën menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit, vetëm disa orë pasi Garda Revolucionare shkrepi dhjetëra raketa balistike në drejtim të bazave ku ishin vendosur trupat amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qasem Soleimanit.