Ruçi mesazh me rastin e 5 Majit: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror

AKTUALITET


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përmes një mesazhi, ka kujtuar sot 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut.

Kryepalramentari theksoi se dëshmorët janë legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror, të cilët u flijuan për lirinë dhe mbrojtjen e saj.

“Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit. Është dita kur Shqipëria përkujton vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë dhe mbrojtjen e saj. Çdo komb krenohet me të rënët për lirinë. Nuk ka virtyt më të lartë për një shoqëri se sa nderimi për dëshmorët. Dëshmorët nuk janë thjesht krenaria e të kaluarës, ata janë mesagjerët e të ardhmes. Qëndrimi ndaj dëshmorëve është shenjë e emancipimit dhe qytetërimit të shoqërisë. Çdo kohë ka pasur luftëtarët, vetëmohuesit dhe dëshmorët e saj. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kuitesenca e luftrave çlirimtare të popullit shqiptar dhe dëshmorët e saj janë legjionarët e legjonarëve të lirisë dhe progresit shoqëror. Jeta e tyre është shkrirë në jetën e Shqipërisë. Heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka. Vite më parë, i përkujtonim dëshmorët bashkë me nënat e tyre. Sot kemi midis nesh mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Kjo është dialektika e jetës. Familjet shqiptare do të ruajnë përjetësisht kujtimin dhe nderimin për të rënët për atdheun dhe lirinë. Unë jam krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, familjet dhe organizatat e tyre. Sot shërbimi për atdheun kërkon mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe ne i jemi kushtuar me gjithçka”, shkruan kryetari i Kuvendit.



Skip to toolbar