Parlamenti diskuton të enjten projekt-Rezolutën për “Hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian”. Në nisje të seancës plenare, pasi përfundoi së lexuari rendin e ditës kryetari i Kuvendit, deputetja Rudina Hajdari, bashkëhartuese e dokumentit të Rezolutës, mori fjalën e para.
Ajo i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të ftonte deputetët të ishin të pranishëm në seancë, për të diskutuara projekt-Rezolutën, që sipas Rudina Hajdarit është shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe BE.
“Do duhej të kishte një pjesëmarrje më të madhe nga deputetët sot në Kuvend, pasi do diskutojmë për Rezolutën për negociatat. Nga të dyja anët, mazhoranca dhe opozita, të ngrihen nga kafet dhe të vijnë të diskutojmë rezolutën në Kuvend. Sepse është rezolutë shumë e rëndësishme”, tha Hajdari.
Miratimi i projekt-Rezolutës është në krye të axhendës së Kuvendit për seancën e të enjtes. Sipas rendit të ditës, rreth 30 deputetë pritet të flasin për këtë dokument, të hartuar nga deputet Rudina Hajdari dhe Senida Mesi. Projekt-Rezoluta është një dokument që nxit më tej punën e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE në 18 tetor.