Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari ka thumbuar Ramën teksa ka folur në Kuvend për reformën zgjedhore dhe domosdoshmërinë, sipas saj, për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Ajo tha se ky sistem është shfrytëzuar dhe është keqpërdorur deri në fund nga kryetarët e partive. Hajdari shtoi se Rama ka frikë ta ndryshojë sistemin, pasi Majko, Bushati e Xhafaj mund të marrin më shumë vota se ai.
“Qeveria bën propagandë gjithandej. Jemi ne dhe ky kryeministër që e ka bërë këtë vend, që shqiptarët të largohen masivisht. Kryeministri është delja e zezë sot, që nuk po i lejon shqiptarët të bëhen pjesë e BE.
Pikërisht ai që e mbante vendin peng, që u kanabizua vendi dhe nuk pati asnjë përgjegjës. Duhet të thoshte sot se Shqipëria e humbi anijen e BE që në 2013, kur mund të behej pjesë; duhet të thoshte se ai është i paaftë dhe partia e tij nuk mbjell dot shpresë; duhet të thoshte që do hap krahun dhe do ndryshoj sistemin e të mos ketë frikë nga sistemin. Pse ke frikë zoti Rama, pse ke frikë nga listat e hapura? Ke frikë se mos Ditmir Bushati do të votohej me shumë se ti, se Xhafaj do votohej më shumë, se Majko do merrte me shumë vota se ti sot? Se jeni ju që e ke i ndryshuar kabinetin, që e diktoni këtë qeveri pa asnjë socialist të vërtetë”, u shpreh Hajdari.
Më pas ajo foli per projektrezolutën e hartuar prej saj për çeljen e negociatave me BE-në, ndërsa theksoi se në politikë është futur vetëm me një qëllim, të çojë përpara axhendën europiane të Shqipërisë.
“Arsyeja pse jam futur në politikë dhe do vazhdoj të jem këtu është vetëm për të çuar përpara axhendën evropiane. Vendimi final për çeljen e negociatave nuk është fitore për partitë. Qëllimi është një interes që shkon përtej partive apo individëve. Është kjo elitë politike që ka mbjellë pesimizëm. Ne do jemi opozita e parë e këtij vendi që në 30 vite tranzicion vendosëm të vëmë vendin para partisë. Ndihem krenare që jam nismëtare e kësaj rezolute, që ne t’i çojmë përpara detyrat tona, duke vendosur interesin e vendit para çdo gjëje tjetër. Ky sistem është shfrytëzuar deri në fund nga kryetarët e partive, është sistemi më i keq që ka përdorur Shqipëria.
Edhe pse jam në opozitë, dua të sjell një shembull të ri që luftoj përballë një shoqërie maskiliste. Unë nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë para vendit tim. Një vlerësim negativ për Shqipërinë do t’i shtynte shanset tona për të paktën 3-4 vite. Vendimi duhet të ishte marrë që prej vitit 2017, por problemet tona të brendshme e shtyn. Shqipëria ka bërë hapa pas, dështoi me zgjedhjet lokale, ka presion mbi mediat, një opozitë të gjymtuar që sillet në mënyrë destruktive. Gjatë kësaj periudhe ka pas një progres të lehtë në procesin e Vettingut, ngritjen e KLGJ, KLP, etj”, deklaroi deputetja, Hajdari.
Kushti i vetëm i opozitës parlamentare për reformën zgjedhore është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe përgatitja e listave të hapura të deputetëve në zgjedhjet parlamentare./realstory.al