Rusia tha se do të largohet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas vitit 2024 për t’u fokusuar në ndërtimin e projektit të saj hapësinor, në kohën e tensioneve të rritura midis Kremlinit dhe Perëndimit pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Gjatë takimit me Presidentin rus, Vladimir Putin më 26 korrik, Yuri Borisov, të cilin Putini e emëroi në fillim të këtij muaji në krye të agjencisë ruse të hapësirës Roskosmos, tha se Moska do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj në ISS përpara se të largohet.
Por, NASA tha se Moska nuk e ka treguar qëllimin e saj për tu tërhequr nga ISS.
Robyn Gatens, drejtor i stacionit hapësinor për NASA-n, tha në një konferencë në Uashington se NASA e kishte parë njoftimin e Borisovit, por “nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar”.
SHBA-ja tha se dalja “e papritur”” e Rusisë nga Stacioni Hapësinor është “fatkeqe”.
“Është një zhvillim fatkeq duke pasur parasysh punën shkencore të kryer në ISS, bashkëpunimin e vlefshëm profesional që agjencitë tona hapësinore kanë pasur gjatë viteve, dhe veçanërisht marrëveshjen tonë të rinovuar për bashkëpunim”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ky njoftim erdhi një javë pasi Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se do të rifillojnë fluturimet drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor me Rusinë.
“Për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm dhe të sigurt të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, për të mbrojtur jetën e astronautëve dhe për të siguruar praninë e vazhdueshme të SHBA-së në hapësirë, NASA do të rifillojë misionet me ekuipazhet e integruara në anijen kozmike të ekuipazhit amerikan dhe “Soyuz-it” rus”, tha NASA në një deklaratë më 15 korrik.
NASA bëri të ditur se astronauti Frank Rubio do të fluturojë me dy kozmonautë rusë në një anije hapësinore “Soyuz”, e programuar për t’u lëshuar nga Kazakistani më 21 shtator.
Ekspertët thanë se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për që ISS-ja të funksionojë pa rusët.
Më herët NASA e ka quajtur vendimtare pjesëmarrjen ruse për funksionimin e stacionit hapësinor, duke shtuar se ISS-ja ishte krijuar për të operuar së bashku me pjesëmarrjen e agjencive hapësinore të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Evropës, Japonisë dhe Kanadasë.
“Stacioni është projektuar për të qenë i ndërvarur dhe mbështetet në kontributet e çdo agjencie hapësinore për të funksionuar. Asnjë agjenci nuk ka aftësinë të funksionojë e pavarur nga të tjerat,” thuhej në deklaratë./rel