Rusia manovra ushtarake në Detin e Zi, në zonë edhe dy luftanije amerikane

BOTA


Forcat detare të Rusisë u stërvitën për shkatërrimin e objektivave të armikut të martën në Detin e Zi, ndërsa Moska shprehu pakënaqësinë me praninë e dy luftanijeve amerikane në zonë.

Presidenti Vladimir Putin tha të hënën se forcat ruse vëzhguan luftanijen e marinës amerikane “USS Mount Whitney” “përmes dylbive dhe sistemeve të saj mbrojtëse” dhe u ankua për aktivitetin e NATO-s pranë kufijve të Rusisë.

Të martën, flota ruse e Detit të Zi tha se anijet e saj kishin bërë prova për të shkatërruar objektivat e armikut dhe se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore ishin vënë në gatishmëri në bazat e saj në Novorosijsk dhe në Krimenë e aneksuar, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfaks.

“Ato shkatërruan objektivat ajrore të një armiku imagjinar me raketa dhe artileri kundërajrore”, thuhet në një deklaratë.

Rusia ka paralajmëruar më parë vendet perëndimore që të mos dërgojnë anije luftarake në Detin e Zi dhe mos t’i afrohen bregut të Krimesë, gadishullit që ajo e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Rusia e konsideron Krimenë pjesë të territorit të saj, por gadishulli njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës.

Marina e Shteteve të Bashkuara tha të hënën se luftanija “USS Mount Whitney” kishte mbërritur në Stamboll dhe se së shpejti do të bashkohej me luftanijet e tjera në Detin e Zi.

“Pas kësaj vizite në port, Mount Whitney do të bashkohet me (luftanijen) USS Porter (DDG 78) në Detin e Zi për të përmirësuar më tej bashkëpunimin midis forcave të SHBA-së dhe NATO-s në det”, tha përmes një deklarate Marina e Shteteve të Bashkuara.

Kremlini hodhi poshtë të martën, duke e quajtur “të rremë”, një raport të medias amerikane për grumbullim të forcave ushtarake ruse pranë Ukrainës, megjithëse Moska tha se ka të drejtë të lëvizë trupat në çdo pjesë të territorit të saj.

Portali i lajmeve Politico raportoi se fotot e satelitëve komercialë të marra të hënën konfirmuan raportet e fundit se Rusia po grumbullon sërish trupa dhe pajisje ushtarake në kufirin me Ukrainën pas një veprimi të ngjashëm në pranverë të këtij viti.

Ukraina tha të hënën se nuk kishte vërejtur ndonjë rritje të trupave ose pajisjeve ruse pranë kufirit të saj me Rusinë.

Një zyrtar i NATO-s tha: “NATO është vigjilente dhe monitoron rregullisht lëvizjet e forcave ruse. Është e rëndësishme të sigurohet transparenca dhe të shmanget çdo llogaritje e gabuar.”

Rusia ka akuzuar vazhdimisht NATO-n për aktivitete provokuese pranë kufijve të saj. Aleanca thotë se është e vendosur të forcojë sigurinë e vendeve anëtare që gjenden pranë Rusisë, pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe mbështetjes për rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.



Skip to toolbar