Rusia në alarm, mbyll aeroportin e Kazanit, ukrainasit hedhin në erë depot e naftës në Rostov

BOTA


Rusia është vendosur në gjendje alarmi, duke anuluar fluturimet   herët këtë mëngjes në aeroportin e Kazanit, pjesë e republikës së Tatarstanit.

Mbyllja e aeroportit u bë për arsye sigurie, njoftuan agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar agjencinë ruse të aviacionit civil Rosaviatsia.

“Për të garantuar sigurinë e avionëve civilë asnjë fluturim nuk ulet apo ngrihet në aeroport nga ora 7 e mëngjesit”, njoftoi Rosaviatsia, sipas TASS.

Përveç kësaj, autoritetet në Moskë janë të shqetësuara pasi dronët ukrainas hodhën në erë depot naftëmbajtëse në një objekt magazinimi të karburantit në rajonin e Rostovit.

Siç njoftohet nga kanalet ruse në Telegram, njësitë ruse të mbrojtjes kundërajrore shkatërruan katër dronë mbi Rostov, por nuk mundën të ndalnin në tërësi sulmin e Kievit.

Ministria ruse e Mbrojtjes dhe guvernatori i Rostovit, Vasily Golubov  njoftuan se sulmi me dronë ndodhi gjatë natës në një zonë magazinimi të hidrokarbureve.

Kanali “Baza” në Telegram, që besohet të jetë i lidhur me shërbimet ruse të sigurisë, raportoi se tre çisterna të mëdha po digjeshin në një depo karburanti në rrethin Kamensky të Oblastit pasi dy dronë u rrëzuan në zonë.



Skip to toolbar