Rusia paralajmëron Lituaninë mbi ‘bllokadën’ në Kaliningrad

BOTA


Shefi i sigurisë së Rusisë deklaroi të martën se Moska do t’i përgjigjet vendimit të Lituanisë për të ndaluar transitin hekurudhor të mallrave të caktuara nga Rusia drejt enklavës ruse të Detit Baltik dhe se kjo kundërpërgjigje do të ketë “një impakt tejet negativ”në popullsinë e Lituanisë, duke rritur edhe më tej tensionet në rajon.

Të premten, më 17 qershor autoritetet lituaneze i bënë të ditur rajonit rus të Kaliningradit se do të bllokonin importin dhe eksportin e një numri të madh mallrash që kalonin në rrugë hekurudhore për shkak të sanksioneve perëndimore.

Kaliningradi është i vendosur në brigjet e Balltikut midis Lituanisë dhe Polonisë, të dyja anëtarë të NATO-s, por nuk ka kufij tokësor me Rusinë.

Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurisë në Kremlin, vizitoi të martën Kliningradin dhe u zotua se do të merreshin masa ndaj bllokadës.

“Rusia do t’i përgjigjet këtyre veprimeve armiqësore”, deklaroi Patrushev për mediat ruse. “Masat përkatëse janë duke u hartuar në një format ndërveprues dhe do të miratohen së shpejti. Pasojat e tyre do të kenë një ndikim negativ në popullatën e Lituanisë”, tha Patrushev, pa dhënë detaje se cilat mund të jenë masat që Rusia do të marrë.

Ndërkohë, ministria e jashtme ruse thirri të martën ambasadorin e Bashkimit Evropian në Rusi, Markus Ederer dhe “dorëzoi një notë proteste” për ndalimin e tranzitit. Ministria tha në një deklaratë se “kërkoi rifillimin e menjëhershëm të funksionimit normal” të transitit, përndryshe do të kundërpërgjigjet me “masa të ngjashme”.

Qeveria lituaneze theksoi të martën, në një deklaratë me shkrim se “transiti i pasagjerëve dhe mallrave të pasanksionuara drejt dhe nga rajoni i Kaliningradit përmes Lituanisë vazhdon pa ndërprerje” dhe se ndalimi i transitit të mallrave të sanksionuara ishte thjesht pjesë e paketës së katërt të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Enklava e Kaliningradit, me popullsi rreth 430,000 banorë, është e izoluar nga pjesa tjetër e Rusisë dhe kufizohet me anëtarët e BE-së, Lituaninë dhe Poloninë. Trenat me mallra për Kaliningrad udhëtojnë përmes Bjellorusisë dhe Lituanisë; nuk ka rrugë transiti përmes Polonisë. Rusia ende mund ta furnizojë enklavën nga deti pa u penguar nga sanksionet e BE-së.



Skip to toolbar